Tribunalja e Hagës iu përgjigj pretendimeve të ngritura në Serbi për trajtimin mjekësor të ish-gjeneralit serb Ratko Mladiç, duke deklaruar se kujdesi i ofruar gjatë qëndrimit në paraburgim ka tejkaluar standardet minimale ndërkombëtare. Mladiç, i njohur si “Kasapi i Srebrenicës”, ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare ndërsa vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje.
Mekanizmi i Hagës bëri të ditur se nuk mund të japë detaje rreth rrethanave të vdekjes së tij, pasi hetimi zyrtar është ende në zhvillim. Hetimin e urdhëroi presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar, Graciela Gatti Santana, dhe e ka besuar gjyqtarit Ian Bonomy. Institucioni thekson se kjo është një procedurë standarde sa herë që një person i paraburgosur vdes në njësinë e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara, dhe se rezultatet e hetimit do t’i dorëzohen presidentes sapo të jenë të disponueshme. Deri në përfundimin e procesit hetimor, informacionet mbi rrethanat e vdekjes mbeten konfidenciale dhe nuk mund të bëhen publike.
Reagimi i Mekanizmit erdhi pas pikëpyetjeve të ngritura në Serbi nga disa përfaqësues politikë lidhur me shkakun e vdekjes së ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës. Agjencia serbe “Tanjug” raportoi se kishte marrë përgjigje nga shërbimi për shtyp i Hagës, sipas të cilit detajet e vdekjes konsiderohen të rezervuara deri në përfundimin e hetimit. Ndërkohë, autoritetet serbe njoftuan synimin për t’i organizuar Mladiçit një funeral me nderime të plota shtetërore dhe ushtarake pas kthimit të trupit në Serbi.
Kreu i Mekanizmit Ndërkombëtar vlerësoi trajtimin që i ishte ofruar Mladiçit në spitalin e paraburgimit, përfshirë kujdesin mjekësor dhe ndihmën për aktivitetet e përditshme, duke theksuar se kujdesi i garantuar “tejkaloi ndjeshëm minimumin e kërkuar nga standardet ndërkombëtare”. Ratko Mladiç ishte dënuar për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës në 1995, ku mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë.

