Menjëherë pas vdekjes së këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, autoritetet kanë nisur kontrolle të shumta në klinika dhe qendra private në Greqi. Mbrëmjen e së hënës, në Selanik u mbyll një klinikë private ku u zbulua se funksiononte ilegalisht një repart onkologjik dhe kryheshin kimioterapi pa licencë të përshtatshme.
Kontrolli i Autoritetit Kombëtar të Transparencës tregoi se klinika kishte ngritur një repart të plotë onkologjik, me pajisje për përgatitjen e barnave kimioterapeutike, megjithëse ky repart nuk përfshihej në licencën e saj. Sipas hetimit, aty punonte një pneumolog i specializuar në onkologjinë e mushkërive pa kontratë të shkruar me klinikën; që nga viti 2022 ai përshkruante barna kimioterapie dhe trajtimet kryheshin brenda repartit të paautorizuar.
Autoritetet konstatuan edhe mungesa të tjera: numër i pamjaftueshëm infermierësh, mungesë mjekësh të disa specialiteteve të detyrueshme dhe mungesë të Njësisë së Kujdesit Intensiv, që megjithatë parashikohej nga licenca. Gjithashtu rezultoi se disa pacientë të shtruar me diagnoza që nuk lidhen me kancerin kishin marrë barna kimioterapie gjatë qëndrimit në klinikë; po hetohet nëse për këto raste janë dërguar të dhëna të pasakta në EOPYY për rimbursim të shtrimeve.
Problemet në këtë klinikë nuk ishin të reja: që në vitin 2025 ishte konstatuar mungesa e personelit, ndërsa në fillim të vitit 2026 i ishte hequr certifikata e funksionimit të rregullt dhe ishte rekomanduar mbyllja përfundimtare, megjithëkëtë klinika vazhdoi të punonte. Aktualisht është vendosur heqja e licencës dhe mbyllja e objektit, ndërsa dosja është dërguar në Prokurori.
Rasti vjen pak javë pas vdekjes së Mazonakis në një qendër private në Athinë gjatë një procedure plazmafereze, ngjarje që nxori në pah boshllëqe në kontrollin e sektorit privat të shëndetësisë dhe çoi në nisjen e kontrolleve në mbarë vendin. Me sistemin e ri MedWatch autoritetet skanuan mijëra struktura; në fazën e parë në Atikë u evidentuan 231 struktura “të kuqe” që kërkojnë kontroll të menjëhershëm dhe 424 “të verdha” për rikontroll. Mes rasteve për kontroll janë klinika private, poliklinika, kabinete mjekësore, qendra estetike, spa dhe biznese që reklamojnë shërbime mjekësore pa të drejtë. Çështja ka shkaktuar përplasje politike, me opozitën që akuzon qeverinë për kontrolle të pamjaftueshme.

