Korriku, muaji i pushimeve dhe i shpenzimeve më të larta për shumë familje, shënoi një tjetër rritje të çmimeve. Inflacioni arriti në 3,4% në terma vjetorë, nga 2,5% një vit më parë, ndërsa krahasuar me qershorin, çmimet u rritën me 0,2%. Pas kësaj shifre qëndrojnë shpenzimet e përditshme të familjeve, nga ushqimet dhe banesa te transporti dhe shërbimet.
Peshën më të madhe në inflacion e kanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, me një kontribut prej 1,18 pikë përqindjeje. Efekti sezonal u bë veçanërisht i dukshëm te transporti, ku çmimet u rritën me 4,7% vetëm brenda një muaji, ndërsa në terma vjetorë rritja arriti në 8%. Grupi i qirasë, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve kontribuoi me 0,83%, ndërsa sektori i transportit vetë dha 0,52% në kontributin total.
Në krahasim vjetor, rritjet më të forta të çmimeve u regjistruan te transporti me 8% dhe te argëtimi, sporti dhe kultura me 6%. Ushqimet u shtrenjtuan me 3,5%, ndërsa kostot e banesës u rritën me 4,1%. Megjithëse disa produkte sezonale dhanë lehtësim të çmimeve gjatë korrikut, shporta e familjes vazhdoi të ndihej nën presion nga rritjet në transport, banesë dhe ushqim.
INSTAT thekson se ndryshimi mujor i çmimeve është i ndjeshëm ndaj efekteve sezonale, duke bërë që luhatjet mujore të jenë më të dukshme në sektorë të caktuar si transporti. Këto luhatje ndikojnë në perceptimin e inflacionit për familjet, sidomos gjatë sezonit veror kur lëvizjet dhe shpenzimet rriten.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e inflacionit mbi objektivin është e përballueshme për politikën monetare. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se inflacioni pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektivin në gjysmën e dytë të vitit, para se të kthehet gradualisht drejt tij, dhe theksoi se balanca e rreziqeve mbetet në kahun e sipërm. Aktualisht, norma bazë e interesit mbahet në 2,5%.

