Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” nisi vitin akademik 2026‑2027 me 1,300 studentë të regjistruar, duke reflektuar sipas universitetit një interes të qëndrueshëm në krahasim me vitin e kaluar. Interesi më i lartë është përqendruar te programet që janë në trend: Shkencat Mjekësore, Sportet, Ekonomi dhe IT. Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara renditen: Infermieri e Përgjithshme; Edukim Fizik dhe Sporte; Financë–Kontabilitet; Teknologjitë e Informacionit; Informatikë Ekonomike. Në programet profesionale, renditen si më të preferuara: Teknik Mjedisi; Teknologji Laboratori; Sekretar i Specializuar; Edukator 0–3 vjeç; Mekatronikë.
Programet e mësuesisë vazhdojnë të kenë një interes të qëndrueshëm, por me numër më të ulët regjistrimesh në raport me programet trend; megjithatë, të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të jenë të hapura këtë vit akademik. Për studentët e programeve prioritare ofrohen bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare, si një mundësi shtesë për përfshirjen dhe mbështetjen në arsimin e lartë.
Universiteti ofron një portofol të gjerë programesh studimi përmes pesë fakulteteve, në nivelet Bachelor, Master, profesional dhe doktoraturë, përfshirë Programin e Integruar të Studimit në Drejtësi dhe programe të ofruara në gjuhën angleze. Një drejtim kryesor i vitit të ri akademik është forcimi i lidhjes ndërmjet formimit universitar dhe botës së punës. Në këtë kuadër, universiteti prezantoi “Paktin UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, një orientim institucional që synon krijimin e urave bashkëpunimi ndërmjet universitetit, institucioneve publike, sektorit privat dhe studentëve, si dhe zgjerimin e mundësive për zhvillimin e praktikave profesionale dhe përvojën konkrete të punës.
Ndërkombëtarizimi mbetet prioritet, me synim zgjerimin e bashkëpunimit dhe mundësive akademike për studentët dhe personelin përmes Erasmus+, marrëveshjeve me universitete partnere dhe projekteve ndërkombëtare. Universiteti po rrit përfshirjen në rrjete universitare në rajon dhe Evropë, duke marrë drejtimin e Balkan Universities Association (BUA) me 120 universitete partnere dhe anëtarësimin në Forumin e Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Dimensioni ndërkombëtar po zgjerohet edhe përmes pranisë së studentëve nga hapësira të tjera shqipfolëse; edhe këtë vit ka studentë nga Presheva, dhe universiteti synon të tërheqë më shumë studentë ndërkombëtarë.

