Rreth 1,800 studentë të rinj i bashkohen këtë vit Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, rreth 100 më shumë se një vit më parë, duke e çuar totalin në rreth 17,500 studentë në të gjitha ciklet e studimit. Ndër programet më të kërkuara këtë vit janë Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet, si në programet në gjuhën shqipe, ashtu edhe në programet e përbashkëta me Institutin Politeknik të Bragançës në Portugali.
UAMD ofron programe në pesë fakultete, në fusha si shkencat mjekësore teknike, teknologjia, biznesi, turizmi, edukimi, drejtësia dhe shkencat sociale. Universiteti raporton se studentët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt degëve që ofrojnë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe mundësi për zhvillim profesional. Dimensioni ndërkombëtar po zgjerohet: rreth 67 studentë të huaj janë regjistruar ose janë në proces regjistrimi, ndërsa numri i programeve me diploma të dyfishta me universitete partnere në Evropë pritet të kalojë mbi 20.
Në ofertën e re këtë vit hyn edhe programi profesional dy-vjeçar “Guidë Turistike”, i cili synon të lidhë formimin universitar me njohjen profesionale dhe licencimin e guidave turistike. Nga ana infrastrukturore, godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale sjell 26 auditorë, 21 laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive dhe hapësira të reja për jetën studentore.
Megjithatë, mbeten problematika që prekin drejtpërdrejt studentët. Akomodimi, veçanërisht për ata që vijnë nga qytete të tjera, është një sfidë e vazhdueshme. Një tjetër çështje e rëndësishme është transporti: dhjetëra studentë udhëtojnë çdo ditë nga Tirana drejt kampusit në Spitallë dhe universiteti synon krijimin e një linje direkte Tiranë–UAMD për të lehtësuar lëvizjen.
Viti akademik në Durrës nis me më shumë studentë dhe me një ofertë që synon t’i afrohet tregut të punës, por për studentët cilësia e studimeve do të vlerësohet edhe përtej auditorit, te transporti, akomodimi dhe kushtet e përditshme në kampus.

