UEFA do të ndryshojë kalendarin e skuadrave kombëtare duke nisur nga sezoni 2028/2029, pas përfundimit të Evropianit 2028, me një model të ri të ngjashëm me formatin aktual të Ligës së Kampioneve. Kualifikueset për Botëroret dhe Evropianë, si dhe Nations League, do të zhvillohen në grupe unike ku ndeshjet do të luhen vetëm një herë kundrejt çdo rivali (brenda ose jashtë fushe), dhe jo dyfishtë si aktualisht.
Nations League do të kalojë nga katër në tri liga, secila me nga 18 skuadra. Çdo Ligë do të ndahet në tre grupe me nga gjashtë skuadra, që do të luajnë nga 6 ndeshje: pesë ndaj skuadrave nga vazo të ndryshme dhe një ndaj një skuadre të së njëjtës vazo, brenda ose jashtë fushe. Duke qenë se UEFA ka 55 skuadra, Liga C do të përfshijë një grup prej 7 skuadrash, kalendari i të cilit do të nisë më herët. Çerekfinalet, Final Four, ndeshjet playoff dhe ato për ngjitjen dhe rënien nga Liga do të mbeten pa ndryshime në format.
Për kualifikueset evropiane për Botërorë do të ketë ndarje: League 1 përbëhet nga 36 skuadrat që vijnë nga Ligat A dhe B të Nations League, dhe League 2 nga 18 ose 19 skuadrat e mbetura. League 1 do të organizohet në 3 grupe me nga 12 skuadra, të shortuara në tre vazo; secila skuadër do të luajë 6 ndeshje brenda ose jashtë fushe kundër 6 kundërshtarëve të ndryshëm, dy nga secila vazo, një format i ngjashëm me kompeticionet e klubeve të UEFA-s. League 2 do të organizohet si Liga C e Nations League, me 3 grupe me nga 6 skuadra, ndërsa njëra prej grupeve mund të ketë 7 ekipe.
Skuadrat që klasifikohen më mirë në çdo grup të League 1 do të kualifikohen direkt për kompeticionet kryesore, ndërsa skuadrat e mbetura do të kalojnë në një sistem playoff, i cili siguron mundësi kualifikimi edhe për skuadrat e League 2.

