Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave. Gjyqtari Charles Smith po vazhdon të prezantojë konstatimet e trupit gjykues për akuzat e ngritura në aktakuzë.
Sipas vendimit të trupit gjykues, shumë nga të ndaluarit janë rrahur deri në atë masë sa nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë në këmbë, ndërsa disa nga të ndaluarit kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së. Gjykata gjithashtu konstatoi se ndaj të ndaluarve u është shkaktuar vuajtje psikologjike.
Trupi gjykues vuri në dukje se mënyra e qëllimshme e ndalimit dhe arrestimit, pa dhënë arsye për ndalimin dhe duke u mohuar të ndaluarve çdo formë e gjykimit të rregullt, tregonte se disa anëtarë të përfshirë synonin arrestimin dhe mbajtjen nën arrest pa arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt. Kjo sjellje u konsiderua e qëllimshme dhe në kundërshtim me procedurat dhe të drejtat bazë të individëve të ndaluar.
Gjykata arriti gjithashtu në përfundimin se anëtarë të UÇK-së në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore krijuan, kontribuan në krijimin dhe i mbajtën këto qendra në kushte çnjerëzore. Të ndaluarit janë mbajtur në vende dhe lloje të ndryshme ndërtesash, përfshirë edhe ndërtesa që funksiononin si shkolla.
Në lidhje me trajtimin fizik, trupi gjykues konstatoi se shumë anëtarë të UÇK-së i keqtrajtuan fizikisht të ndaluarit. Në vende të ndryshme, të ndaluarit goditeshin rregullisht me shkelma dhe rriheshin në mënyrë brutale dhe të vazhdueshme. Gjyqtari Smith prezantoi këto konstatime si pjesë të fakteve të vërtetuara nga prokuroria për rastet e arrestimeve të paligjshme dhe trajtimit çnjerëzor në qendrat e ndalimit.

