Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, një emër i njohur i edukimit fizik, sportit dhe administrimit sportiv në Shqipëri, ka ndërruar jetë pak orë më parë në Vlorë si pasojë e një infarkti. Ai la pas një karrierë të gjatë akademike dhe profesionale midis auditorëve universitarë, fushave sportive dhe institucioneve drejtuese. Pogoni mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti” dhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.
Me titull Doktor Shkencash dhe katër diploma universitare, Pogoni i kushtoi veprimtarinë e tij zhvillimit të shkencave të sportit, me fokus në rekreacionin sportiv, metodologjinë e stërvitjes dhe edukimin fizik. Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, dhe kishte kontribuar në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke marrë pjesë në shkëmbimin e eksperiencave dhe modernizimin e praktikave sportive në vend.
Përtej rolit akademik, Pogoni ishte i angazhuar në sportin elitar: ka shërbyer si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës dhe, në vitet e fundit, ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku kontribuoi gjithashtu si trajner i ekipit të femrave. Emri i tij ishte i pranishëm në debatet publike për problematikat e sportit shqiptar, ku shpesh ngrinte shqetësime për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të federatave sportive.
Me ndarjen nga jeta të Pogonit, komuniteti akademik dhe sportiv shqiptar humbi një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesioni sti që për dekada punoi në edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Artan Pogoni do të mbahet mend si një nga zërat e lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri.

