Edhe pse ishte nën mbikëqyrje 24-orëshe nga efektivët e policisë jashtë banesës së tij në Shkodër, Hasan Ferracaku ka arritur të arratiset pa lënë gjurmë dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani, bën me dije se Ferracaku ndodhej me masën “arrest shtëpie” pasi i kishin mbaruar afatet e paraburgimit si një prej të dyshuarve për masakrën e ndodhur në Velipojë pesë vjet më parë, dhe gjykata kishte kërkuar mbikëqyrje 24 orë. Ai ishte në ruajtje nga efektivët për afro tri vjet, por arsyet e arratisjes mbeten të paqarta.
Hasan Ferracaku konsiderohet një prej të dyshuarve si pjesëmarrës në ngjarjen e 26 qershorit 2021 në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë. Ferracaku ishte një nga dy të plagosurit në atë përplasje me armë, bashkë me nipin e tij 17-vjeçar, E.D., të cilët u arrestuan menjëherë pas ngjarjes. Në përplasjen e armatosur humbën jetën Kujtim Ferracaku, 59 vjeç; Edmond Gocaj, 38 vjeç; Xhovani Gocaj, 25 vjeç; dhe Myzerim Zeneli, 20 vjeç, që ishte në ditën e parë të punës si kamarier.
Policia, pas ngjarjes, kishte shpallur në kërkim edhe tre të afërm të Hasan Ferracakut — Abedin, Shyqyri dhe Besmir Ferracaku. Sipas dosjes së prokurorisë, konflikti mes vëllezërve Hasan dhe Kujtim Ferracaku dhe vëllezërve Gocaj kishte nisur për ndarjen e shezllongëve në plazhin e Velipojës dhe palët janë takuar në orët e natës për t’u sqaruar, çka më pas degjeneroi në përdorimin e armëve.
Në vendngjarje u sekuestruan dy pistoleta, njëra e gjetur në vendin e ngjarjes dhe tjetra në hotelin e familjes Gocaj. Hetimet për këtë ngjarje dhe rrethanat e arratisjes së Hasan Ferracakut vazhdojnë.

