Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e “Turit Çiklistik të Shqipërisë 2026”, duke njoftuar akset rrugore që do të bllokohen dhe oraret e ndalimit të qarkullimit. Aktiviteti, i ndarë në 5 etapa, zhvillohet më 18, 19, 20, 21 dhe 22 maj 2026 dhe organizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe bashkitë përkatëse. Në aktivitet do të marrin pjesë skuadra çiklistike nga Shqipëria, vendet e Ballkanit dhe Europa.
Duke pasur parasysh se turi i 83-të do të përshkojë akset dhe qytetet kryesore të vendit, Policia ka hartuar një plan të posaçëm masash që angazhon strukturat vendore të Policisë, shërbimet e Policisë Rrugore dhe strukturat mbështetëse. Objektivat janë garantimi i rendit publik dhe sigurisë rrugore, eskortimi i çiklistëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit gjatë gjithë itinerarit.
Itinerari dhe oraret e bllokimit të qarkullimit janë përcaktuar si më poshtë:
– Etapa I, 18.05.2026, orari i bllokimit 12:00: Sheshi “Skënderbej” – bulevardi “Zogu i Parë” – rruga “Dedë Gjo Luli” – rruga “Myslym Shyri” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – rruga “Lekë Dukagjini” – rruga “Ibrahim Rugova” – bulevardi “Gjergj Fishta” – Unaza e Madhe – autostrada Tiranë–TEG–Thumanë–Milot–Rrëshen–Reps – kthimi për në Milot – finishi në Lezhë.
– Etapa II, 19.05.2026, orari i bllokimit 12:00: Lezhë–Vorë–Golem–Rrogozhinë – finishi në Elbasan.
– Etapa III, 20.05.2026, orari i bllokimit 12:00: Elbasan–Belsh–Kuçovë–Lushnjë–Unaza e Fierit – finishi në Vlorë.
– Etapa IV, 21.05.2026, orari i bllokimit 12:00: Vlorë–Tuneli i Llogarasë–Himarë–Kuç–Lepincë–Kotë – finishi në Vlorë.
– Etapa V, 22.05.2026, orari i bllokimit 10:00: Vlorë–Rrethrrotullimi i Lushnjës – finishi në Fier.
Policia apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe rekomandon përdorimin e akseve alternative në segmentet ku do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit. Strukturat e Policisë do të jenë maksimalisht të angazhuara për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e këtij eventi sportiv ndërkombëtar.

