Një ngjarje e rëndë tronditi periferiën veriore të Torinos, ku u gjet i copëtuar në një apartament 39-vjeçari Fabio Colapietro, nga Chivasso. Për vrasjen është ndaluar 26-vjeçari Christian Matheus De Oliveira Morando, i cili para gjyqtarit ka pranuar se e ka vrarë viktimën, por pretendon se ishte pa dashje dhe se ngjarja nuk ishte e planifikuar.
Sipas deklarimeve të tij dhe mbrojtjes, konfliktit i parapriu një periudhë disa-ditore kur në apartament konsumoheshin alkool dhe lëndë narkotike. Hetuesit dyshojnë se vrasja ndodhi gjatë një feste ku ishin përdorur substanca të ndryshme; avokati përmendi MDPHP, crack, LSD, kërpudha halucinogjene dhe kanabis, përveç pijeve të forta alkoolike. Sipas versionit të të dyshuarit, të nesërmen ai u zgjua dhe iu tha se Colapietro mund t’i kishte vjedhur rreth 50 euro; më pas nisi një sherr fizik, ku sipas avokatit të pranishmit u përleshën dhe 39-vjeçari ra përtokë dhe vdiq. 26-vjeçari deklaroi para gjyqtarit: “E vrava, por pa dashje. Sigurisht që nuk ishte e planifikuar.” Ai tha gjithashtu se nuk e kujtonte nëse e kishte kapur viktimën nga qafa. Pas incidentit, të pranishmit tentuan për rreth dy orë reanimimin, me frymëmarrje gojë më gojë dhe masazh kardiak, sipas mbrojtjes.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë: Nicole Formichetti, 47 vjeçe, mësuese dhe pronare e apartamentit me qira, dhe Keith Butig, 22 vjeçe, të dyshuara për favorizim dhe përfshirje në fshehjen e trupit. Formichetti nuk iu përgjigj pyetjeve të gjyqtarit; avokatët e saj thanë se ajo nuk ishte në gjendje të përgjigjej dhe se mund të merret në pyetje më vonë. Butig, e përshkruar si grua transgjinore, mohoi përfshirjen në vrasje; mbrojtja e saj tha se ajo kishte qenë e pranishme gjatë festës dhe kishte blerë qeset e zeza, por nuk kishte marrë pjesë në fazat e mëvonshme dhe ishte në një gjendje të rënduar, e mbyllur në një dhomë.
Tani pritet vendimi i gjyqtarit për konfirmimin e ndalimeve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e vrasjes dhe rolin e secilit të përfshirë.

