Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka zbutur tonet ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e përshkruar atë si “një person shumë i mirë”, por duke kërkuar sërish llogari për qëndrimin e saj lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. Nga Ankara, përpara nisjes së samitit të NATO-s, Trump iu përgjigj gazetarëve për raportet me Melonin: “Ajo është një person shumë i mirë. E dua shumë, por mendoj se bëri një gabim. Ajo thjesht nuk ishte aty për ne dhe kjo nuk më pëlqeu”, duke iu referuar refuzimit të Italisë për të mbështetur një sulm amerikano-izraelit ndaj Iranit.
Deklaratat pasuan një përplasje të fortë midis dy liderëve në javët e fundit. Të dielën, Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një imazh të manipuluar të Melonit, të shoqëruar me mesazhin “Nevojiten masa kufizuese”, ndërsa autoritetet italiane zgjodhën të mos reagojnë publikisht ndaj postimit. Më herët, presidenti amerikan kishte thënë se Meloni “nuk po shkon mirë në Itali” dhe se po humbiste mbështetjen e qytetarëve, si dhe kishte pretenduar se kryeministrja i kishte kërkuar të bënin një fotografi së bashku gjatë samitit të G7.
Pavarësisht tensioneve të fundit, tek pak kohë më parë Meloni konsiderohej një nga aleatet më të afërta të Trump në Evropë. Ndërkohë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili shoqëron Melonin në samitin e NATO-s në Ankara, deklaroi se prioritet mbetet ruajtja e marrëdhënieve transatlantike, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit mes Romës dhe Uashingtonit.
Samiti i NATO-s pritet të shërbejë si mundësi për kontakte të reja mes liderëve të Aleancës, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet mes aleatëve.

