Shtetet e Bashkuara dhe Irani po afronin një marrëveshje diplomatike që synon të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe të shmangë përshkallëzime të reja në Lindjen e Mesme. Sipas raportit të Axios, administrata e Presidentit Donald Trump po negocion një draft-marrëveshje që parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen e minave detare dhe garantimin e lundrimit të sigurt për anijet tregtare dhe cisternat e naftës. Marrëveshja do të përfshinte një memorandum mirëkuptimi 60-ditor me mundësi zgjatjeje, në të cilin Irani do të angazhohej për mbajtjen e kalimit detar të hapur.
Në këmbim, SHBA-të pritet të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane dhe të japin disa përjashtime nga sanksionet, duke i lejuar Iranit eksportin e naftës. Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se kjo do të lehtësonte ekonominë iraniane dhe do të ulte presionin mbi tregjet globale të energjisë. Presidenti Trump ka vendosur si kusht që çdo lehtësim ekonomik të vijë vetëm pas hapave konkretë nga Irani; administrata ka refuzuar kërkesën iraniane për lirimin e menjëhershëm të fondeve dhe heqjen përhershme të sanksioneve, duke insisitruar “lehtësim vetëm pas performancës”.
Drafti përfshin angazhime të Iranit për moszhvillimin e armëve bërthamore, negociimin e pezullimit të programit të pasurimit të uraniumit dhe transferimin e rezervave të uraniumit shumë të pasuruar. Raporti thotë se Teherani ka dhënë sinjale pozitive për kompromiset që është i gatshëm të bëjë për këtë çështje. Forcat amerikane të dislokuara në rajon do të mbeten në vendet aktuale deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe të verifikueshme.
Marrëveshja adreson edhe konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, me synimin e ndalimit të përplasjeve; SHBA-të kanë garantuar se Izraeli do të mbajë të drejtën për intervenim në rast riarmatosjeje ose sulmesh nga Hezbollah. Negociatat u ndërmjetësuan nga disa vende arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Turqinë, Pakistanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Presidenti Trump ka qenë i përfshirë personalisht. Zyrtarët paralajmërojnë se marrëveshja mund të dështojë nëse Irani nuk tregon seriozitet në bisedimet për programin bërthamor. Administrata amerikane beson se presioni ekonomik mund ta shtyjë Teheranin drejt një marrëveshjeje më të gjerë dhe afatgjatë, dhe shprehet e gatshme të rivendosë marrëdhënie dhe të ndihmojë rikuperimin ekonomik nëse Irani pranon kërkesat bërthamore.

