Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqësi kinez Xi Jinping ka rënë dakord të rrisë ndjeshëm blerjet e mallrave dhe energjisë amerikane gjatë takimit të tyre në Pekin, një zhvillim që Shtëpia e Bardhë e sheh si hap drejt uljes së tensioneve ndërmjet dy fuqive. Në një intervistë për Fox News, që pritet të transmetohet më vonë, Trump tha se Xi u zotua të ndihmojë SHBA-në në çështjen e Iranit dhe të rrisë importet e produkteve amerikane, përfshirë sojën, naftën, gazin natyror të lëngshëm dhe produkte të tjera energjetike.
Trump tha gjithashtu se Kina ka rënë dakord të blejë 200 avionë Boeing 737, një marrëveshje që mund të përbëjë një nga kontratat më të mëdha tregtare ndërmjet dy vendeve në vitet e fundit. Boeing ishte duke negociuar më parë shitjen e deri në 500 avionëve 737 Max për tregun kinez, ndërsa drejtori ekzekutiv i kompanisë, Kelly Ortberg, ndodhet në Pekin si pjesë e delegacionit amerikan.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi midis Trump dhe Xi zgjati rreth dy orë e pesëmbëdhjetë minuta. Bisedimet u përqendruan te tregtia, marrëdhëniet ekonomike, situata në Iran dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se të dy liderët ranë dakord se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për të garantuar rrjedhën e lirë të energjisë globale. Sipas tij, Xi shprehu kundërshtimin e Kinës ndaj militarizimit të ngushticës dhe kundër çdo përpjekjeje për vendosje tarife ose taksash për përdorimin e saj.
Presidenti kinez thuhet se ka shfaqur interes për rritjen e importeve të naftës amerikane, me qëllim uljen e varësisë afatgjatë të Kinës nga furnizimet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur gjithashtu se Trump dhe Xi ranë dakord mbi pikën kyçe që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Trump ngriti çështjen e Iranit gjatë bisedimeve me Xi, por pa kërkuar ndihmë direkte nga Pekini. “Nuk po kërkojmë ndihmën e Kinës. Nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre”, tha Rubio, duke shtuar se pala kineze ishte dakord që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe kundërshton militarizimin e Ngushticës së Hormuzit. Ai vlerësoi se kjo paraqet një sinjal pozitiv për bashkëpunimin në çështjet globale të sigurisë dhe energjisë, pavarësisht rivalitetit ekonomik dhe strategjik mes Uashingtonit dhe Pekinit.

