“Shkoni të votoni ose do të shkoni në ferr”. Me këtë deklaratë, Donald Trump mbylli konventën dyditore të Partisë Republikane në Dallas, një aktivitet në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, që priten të jenë vendimtare për presidentin amerikan. Takimi u mbajt në American Airlines Center, ku salla ishte e mbushur plot.
Trump ndezi sallën me slogane dhe premtime të forta, përfshirë një “dividend” prej 5 mijë dollarësh për çdo amerikan në rast të fitores së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Ai kërkoi gjithashtu nga mbështetësit një betim besnikërie ndaj tij, duke u thënë: “Bëni sikur jam unë kandidati dhe emri im është në fletëvotim”. Në fund të fjalimit, u kërkoi të pranishmëve të ngrinin dorën dhe të përsëritnin pas tij: “I premtoj presidentit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili na do kaq shumë, se do të shkoj të votoj”. Më pas shtoi me ironi frazën e mbylljes së konventës: “E dini çfarë ndodh nëse nuk shkoni të votoni? Do të shkoni në ferr”.
Nënpresidenti JD Vance ndezi atmosferën në fillim të mbrëmjes dhe u përmend si një prej figurave kryesore republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Vance sulmoi ashpër demokratët, duke i cilësuar “partia e urrejtjes” dhe duke thënë se ata “përbuzin Amerikën” dhe kanë “simpati për terroristët që kryen sulmet e 11 shtatorit”. Ai bëri thirrje për mobilizim dhe i kërkoi zgjedhësve të vlerësojnë rezultatet e administratës republikane gjatë 18 muajve të fundit, duke paralajmëruar kundër dorëzimit të vendit “një grupi të çmendurish” që, sipas tij, do ta shkatërronte.
Trump lavdëroi Vance në fjalimin e tij dhe ripërsëriti se në dy vitet e tij në pushtet ka mbajtur premtimet, duke thënë se ka kthyer “momentin e errët të Amerikës” në “një epokë të artë”. Ai paralajmëroi për pasojat e një fitorje demokrate: “Do t’ju konfiskojnë pasurinë, do t’ju trefishojnë taksat dhe do të gjymtojnë fëmijët tuaj”. Për konfliktin me Iranin, Trump tha se nuk ka pendesë për vendimet e marra dhe se, nëse do të vepronte sërish, do të vepronte po ashtu; shtoi se Irani, sipas tij, po dorëzohet në të gjitha frontet dhe deklaroi: “Ne kontrollojmë ngushticën e Trump”.
Konventa përfundoi me përsëritjen e premtimit për ta bërë “Amerikën sërish të madhe”, himnin kombëtar dhe qindra balona që zbritën mbi turmë. Top Channel.

