Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sulmoi ashpër kandidateën demokrate për kryetare të Bashkisë së Uashingtonit, Janice Louise George, duke e etiketuar si “komuniste” dhe duke paralajmëruar se nuk do të lejojë, sipas tij, “shkatërrimin” e kryeqytetit amerikan. Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump pretendoi se George, e cila konsiderohet favorite për të fituar zgjedhjet lokale të nëntorit, mbështet lirimin e të burgosurve, kundërshton agjencinë amerikane të emigracionit (ICE) dhe “mirëpret emigrantët e paligjshëm kriminelë” në qytet.
Në postimin e tij Trump shkroi: “Janice Louise George, komunistja që është pothuajse e sigurt se do të zgjidhet kryebashkiake e Uashingtonit, ka deklaruar se dëshiron të zbrazë burgjet, kundërshton ICE dhe mirëpret emigrantët e paligjshëm kriminelë në kryeqytetin tonë të dashur”. Ai shtoi: “Shumë njerëz, përfshirë edhe mua, kanë punuar gjatë dhe shumë. Ne nuk do të lejojmë që qyteti të shkatërrohet nga një komunist që nuk ka ndërmend ta rikthejë Uashingtonin në madhështinë e tij.”
Janice Louise George është anëtare e krahut progresist të Partisë Demokratike dhe pjesë e organizatës Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA). Ajo fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve në mesin e muajit qershor dhe konsiderohet favoritja për zgjedhjet e nëntorit, pasi demokratët gëzojnë tradicionalisht mbështetje të fortë në Uashington.
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka kërcënuar disa herë se do ta vendosë Uashingtonin nën kontroll federal, duke argumentuar se administrimi i qytetit ka dështuar në garantimin e rendit dhe sigurisë. Në të njëjtën kohë, ai ka promovuar një seri projektesh zhvillimore për kryeqytetin, përfshirë restaurimin e 73 statujave, monumenteve dhe shatërvanëve, rikonstruksionin e fushës së golfit East Potomac Golf Links dhe restaurimin e rezervuarit pranë Memorialit të Linkolnit.
Këto projekte, megjithatë, janë shoqëruar me kritika për kostot e larta, mënyrën e dhënies së kontratave dhe karakterin e tyre, ndërsa kundërshtarët i konsiderojnë më shumë si projekte imazhi sesa investime prioritare për qytetin.

