Revista Time zbuloi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kaloi orë të tëra duke u “konsultuar” me Grok-un, chatbot-in e inteligjencës artificiale të Elon Musk-ut, rreth çështjeve që lidhen me Venezuelën, një muaj para operacionit për kapjen e atëhershme të presidentit Nicolas Maduro. Sipas artikullit të gjerë mbi aktivitetet e Trump-it gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, dhe duke cituar një burim të brendshëm nga Uashingtoni, Time raporton se Trump e pyeti Grok-un se si do të reagonin venezuelianët nëse Shtetet e Bashkuara do të arrestonin presidentin e tyre. Përgjigja që ai dyshohet se mori nga chatboti ishte se shumë venezuelianë do të festonin largimin e Maduros.
Raporti përmend se pyetjet e Trump-it për Grok-un u bënë gjatë një takimi privat me Elon Musk-un në Zyrën Ovale në dhjetor 2025. Përveç pyetjeve lidhur me Venezuelën, Trump thuhet se kaloi kohë të konsiderueshme duke i bërë Grok-ut pyetje edhe rreth presidencës së tij dhe trashëgimisë së tij personale dhe politike. Më 3 janar, kur forcat ushtarake amerikane kapën Maduro-n dhe pasuan festimet publike, Trump thuhet se u impresionua nga ajo që revista përshkruan si saktësia e dukshme e përgjigjeve të Grok-ut.
Raporti i Time nënvizon se mbetet e paqartë nëse përgjigjet që Grok-u dha para operacionit ndikuan në vendimin e Trump-it për veprim. Artikulli nuk vërteton se çfarë ndikimi, nëse ka pasur, pati chatboti në mendimin e presidentit, dhe nuk sugjeron se Grok-u ishte i përfshirë në planifikimin ushtarak të operacionit. Informacioni që publikoi revista bazohet, sipas vetë artikullit, në burime dhe në raportimin e aktivitetit të brendshëm gjatë periudhës përkatëse. Top Channel citon këtë raport të Time, duke përcjellë përmbajtjen e zbuluar nga revista.

