Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të hënën se Irani dëshiron të diskutojë për uljen e tensioneve me Izraelin dhe u bëri thirrje autoriteteve iraniane që të veprojnë sa më shpejt, përpara se të jetë shumë vonë.
“Do të thosha se Irani nuk po fiton këtë luftë dhe duhet të ulet në tryezën e bisedimeve sa më parë”, u shpreh Trump gjatë një takimi me kryeministrin kanadez, Mark Carney.
Sipas Wall Street Journal dhe Reuters, Irani ka dërguar një mesazh urgjent përmes vendeve arabe ndërmjetëse, duke shprehur gatishmërinë për të ndalur përshkallëzimin ushtarak dhe për t’u rikthyer në negociatat për programin e tij bërthamor – për sa kohë që SHBA nuk përfshihet në konfliktin ushtarak.
Burime diplomatike konfirmojnë se Teherani ka kërkuar nga Katari, Arabia Saudite dhe Omani që t’i kërkojnë Trumpit të ushtrojë presion mbi Izraelin për të pranuar një armëpushim të menjëhershëm. Në këmbim, Irani do të tregojë fleksibilitet në bisedimet me Uashingtonin.
Nga ana tjetër, zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar se nëse nuk shohin përparim drejt bisedimeve, mund të përshpejtojnë programin bërthamor dhe të zgjerojnë fushën e luftës.
Gjatë deklaratave të tij, Trump gjithashtu kritikoi përjashtimin e Rusisë nga G8, duke e quajtur “gabim”, dhe u shpreh se nuk do ta shqetësonte një anëtarësim i mundshëm i Kinës në G7.
Për sa i përket marrëdhënieve tregtare me Kanadanë, Trump tha: “Një marrëveshje tregtare është e mundur, por duhet dakordësi nga të dyja palët”.