Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni i Amerikës”, hapje e një fronti të ri në marrëdhëniet mes SHBA dhe Kanadasë. Vendimi u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa në Zyrën Ovale ishte vendosur një hartë ku liqeni shfaqej tashmë me emrin “Lake America” të shkruar me germa të mëdha të kuqe.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi menjëherë, duke deklaruar në platformën X se për Kanadanë liqeni do të vazhdojë të quhet “Liqeni Ontario, sot dhe përgjithmonë”. Ai theksoi se emri i liqenit daton më shumë se 400 vjet më parë, shumë përpara krijimit të Konfederatës Kanadeze dhe Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Që nga ana e SHBA-së, urdhri ekzekutiv thekson se Shtetet e Bashkuara janë “mbrojtësi më i madh i Liqeneve të Mëdha” dhe pretendon se SHBA-ja ka pjesën më të madhe të vëllimit të Liqenit Ontario, për shkak se zonat më të thella ndodhen në territor amerikan. Megjithatë, urdhri nuk nënkupton njohje ndërkombëtare të emrit të ri, dhe për Kanadanë emërtimi zyrtar mbetet Liqeni Ontario.
Trump la të kuptohet se ky mund të mos jetë ndryshimi i fundit i emrave gjeografikë, duke deklaruar se “Kemi një gji dhe kemi një liqen. Na mungon vetëm një oqean. Pra, mund ta ndryshojmë emrin e Atlantikut ose të Paqësorit. Mund t’i ndryshojmë të dyja”. Në fillim të mandatit të tij të dytë ai kishte urdhëruar gjithashtu ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës” dhe ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
Riemërtimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare. Trump ka akuzuar Kanadanë për trajtim të padrejtë ndaj SHBA-së dhe ka kritikuar autoritetet kanadeze, ndërsa Uashingtoni është përgatitur të vendosë tarifa të reja ndaj disa produkteve kanadeze pasi Ottawa ndërpreu negociatat tregtare. Lëvizja e fundit rrezikon të thellojë përplasjen mes dy vendeve, kur Kanadaja kishte shprehur shpresën për rifillimin e bisedimeve tregtare.

