Presidenti amerikan Donald Trump do t’i akordojë ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimin më të lartë civil që jepet në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e bëri të ditur vetë Giuliani, i cili konfirmoi se ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet të martën në orën 11:00 me orën lokale, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. “Padyshim që jam shumë i prekur dhe është një nder i madh, jo vetëm ta marr atë, por ta marr prej tij”, deklaroi Giuliani gjatë një interviste në emisionin e drejtuar nga Steve Bannon, një prej figurave të njohura të së djathtës amerikane.
Giuliani, ish-prokuror dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, u bë i njohur fillimisht për luftën kundër mafias në qytet. Ai mori vlerësim të gjerë për menaxhimin e situatës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe u kthye në një nga figurat më të njohura të jetës publike dhe politikës amerikane. Gjatë drejtimit të qytetit, ai ishte një nga nismëtarët e politikës së ashtuquajtur “tolerancë zero”, që synonte uljen e kriminalitetit në Nju Jork. Gjatë drejtimit të qytetit, ai ishte gjithashtu një nga nismëtarët e politikës së ashtuquajtur të “tolerancës zero”, e cila synonte uljen e kriminalitetit në Nju Jork.
Imazhi i tij publik pësoi një goditje të rëndë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kur Giuliani u bë një nga figurat kryesore të përpjekjeve për të përmbysur fitoren e demokratit Joe Biden. Në vitin 2023 ai u dënua të paguante 148 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje ndaj dy punonjëseve zgjedhore në Xhorxhia, të cilat i kishte akuzuar për përfshirje në manipulimin e zgjedhjeve. Pas kësaj, atij iu hoq e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit në Nju Jork dhe në Uashington.
Pavarësisht polemikave dhe problemeve ligjore që e kanë shoqëruar, Trump ka vendosur ta nderojë Giulianin me këtë vlerësim, duke rikthyer në vëmendje marrëdhënien e ngushtë mes tyre.
