Karoline Leavitt njoftoi dorëheqjen nga posti i sekretarit të shtypit, për arsye familjare: pas lindjes së vajzës së dytë më 1 maj ajo tha se puna kërkonte një nivel angazhimi që nuk mund t’ia kushtonte fëmijëve. Megjithatë, Trump nuk duket se dëshiron ta humbasë plotësisht; ai e vlerësoi si një nga ndihmëset e tij më të besueshme dhe njoftoi se Leavitt do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare e jashtme.
Largimi i saj ngre pyetjen se kush mund ta zëvendësojë një nga zërat më besnikë dhe më agresivë të administratës. Pozicioni i sekretarit të shtypit nën administratën Trump ishte i pazakonshëm: presidenti ndryshon shpesh qëndrime, ndërhyn drejtpërdrejt në debate dhe komunikon shumë përmes rrjeteve sociale dhe daljeve spontane. Leavitt njihte mirë mënyrën e komunikimit të Trump dhe fliste me gjuhën e bazës së tij politike. Ajo shpesh nuk jepte përgjigje tradicionale në konferenca, por sulmonte pyetjet, gazetarët ose motivet e tyre, duke kthyer konferencat në arena politike — qasje që e bëri të pëlqyer nga mbështetësit e presidentit.
Një prej ndikimeve më të dukshëm të saj ishte ndryshimi i marrëdhënies me median: administrata mori më shumë kontroll mbi vendet e rezervuara për gazetarët në eventet presidenciale dhe në Air Force One, duke përfshirë transmetues, podkasterë dhe figura të medias konservatore në grupin tradicional. Ky vendim shkaktoi kritika nga organizatat tradicionale të medias, që e panë si përpjekje për të dobësuar rolin e gazetarëve të akredituar. Përplasja më e bujshme ishte me Associated Press, të përjashtuar nga disa aktivitete pasi refuzoi të ndryshonte udhëzimin editorial për emërtimin e Gjirit të Meksikës pas vendimit të Trump për ta quajtur “Gjiri i Amerikës”.
Leavitt njihte dhe kishte akses të drejtpërdrejtë te presidenti; shpesh ishte në dhomë gjatë momenteve kyçe dhe mund të parashikonte kërkesat e tij, duke vepruar si ndërmjetëse mes tij dhe medias. Nëse Trump zgjedh një pasardhës që nuk është pjesë e rrethit të tij të ngushtë, ai mund të ketë vështirësi të fitojë të njëjtin autoritet. Megjithë hipotezat se Trump mund të komunikojë vetë më shumë, kjo nuk zgjidh nevojën për një sekretar shtypi që përballet përditë me pyetje, shpjegon vendime dhe menaxhon marrëdhëniet me median. Pasardhësi duhet të flasë jo vetëm për të, por edhe si ai — sfidë që pritet të jetë e vështirë.

