Samiti i NATO-s në Ankara risolli në vëmendje mundësinë që Turqia të rikthehet në programin amerikan të avionëve F-35, çështje që prek ekuilibrat në Egje dhe Mesdheun Lindor. Presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit me homologun turk Rexhep Tayyip Erdogan, la të hapur këtë mundësi, duke thënë se Uashingtoni do ta shqyrtojë çështjen dhe duke folur në tono pozitive për presidentin turk dhe për rolin e Turqisë në NATO. Ankaraja e interpretoi këtë si një sinjal pozitiv; Erdogan deklaroi se pret një vendim të favorshëm dhe kritikoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për kundërshtimin ndaj blerjes së avionëve F-35 nga Turqia.
Athina zyrtare reagoi me kujdes, por me mesazhe të qarta. Mitsotakis shprehu se Greqia nuk mund t’i imponojë SHBA-së se kujt duhet t’i shesë armë, por vuri në dukje ekzistencën e pengesave ligjore për Turqinë, të lidhura me zotërimin e sistemit rus të raketave balistike S-400. Ai njoftoi gjithashtu se pilotët grekë do të nisin trajnimin në vitin 2027 për avionët F-35 që Greqia do t’i blejë nga SHBA.
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, ishte më i prerë në deklarata, duke theksuar se për momentin nuk ka çështje heqjeje të kufizimeve për Turqinë, pasi çdo ndryshim kërkon vendim të ri nga Kongresi amerikan. Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, shprehu hapur se Greqia nuk do të ishte e kënaqur nëse Turqia merrte F-35 apo motorë për avionë të gjeneratës së re dhe i bëri thirrje Uashingtonit të pyesë nëse një vendim i tillë shërben vërtet interesave amerikane.
Në sfond qëndron edhe çështja e casus belli, kërcënimi turk për luftë në rast se Greqia zgjeron ujërat territoriale në Egje; Mitsotakis e quajti këtë “anakronizëm historik” që nuk përputhet me klimën e dialogut mes dy vendeve. Edhe pse së fundmi Athina dhe Ankaraja flasin për një klimë më të qetë në Egje, dosja e F-35 tregon se ekuilibri mes tyre mbetet i brishtë.

