Vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë këtë javë dyshohet të ketë pasur si një nga qëllimet kryesore paralajmërimin e Rusisë që të mos ndërmarrë ndonjë sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Sipas raportimeve të Wall Street Journal dhe CBS, Ratcliffe u përpoq të dekurajonte Moskën nga çdo veprim ushtarak kundër Aleancës, ndërsa agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Rusia mund të jetë duke e “testuar” unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s. Wall Street Journal njoftoi se Presidenti rus Vladimir Putin mund të shqyrtojë mundësinë e një “sulmi të kufizuar” ndaj NATO-s në vitet e ardhshme.
Presidenti amerikan Donald Trump minimizoi rëndësinë e vizitës, duke e cilësuar atë si “gjysmë rutinë” dhe duke thënë në një intervistë me komentatorin Glenn Beck se qëllimi kryesor ishte diskutimi për luftën në Ukrainë. “Ne do të donim që lufta në Ukrainë të mbaronte”, deklaroi ai. Sipas raporteve, gjatë qëndrimit në Moskë Ratcliffe diskutoi edhe për çështje lidhur me Iranin dhe paralajmëroi për sanksione të tjera nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit. Megjithatë, Trump mohoi se vizita kishte lidhje me Iranin apo kërcënimet e mundshme ruse ndaj NATO-s, duke thënë: “Ai nuk ishte atje për asnjë nga çështjet që përmendët.”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për bisedime “ndërmjet shërbimeve sekrete”, por shtoi se ai nuk ishte takuar me Vladimir Putinin. Peskov vlerësoi se është herët për të përcaktuar se sa do të ndikojë vizita në procesin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai tha se për momentin nuk janë planifikuar bisedime të tjera, përshkroi kontaktet mes palëve si “pozitive” dhe nuk zbuloi temat konkrete të diskutimit.
Vizita e Ratcliffe në Rusi është e parë pas asaj të nëntorit 2021, pak muaj përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

