Federata Italiane e Futbollit po përballet me një rifreskim të drejtimit pas dorëheqjes së Paolo Maldinit dhe Leonardos nga pozicionet e tyre, pas njoftimit publik të Andrea Pirlos se ai nuk është më kandidat për stolin e kombëtares. Largimet kanë hapur një fazë të re në procesin e zgjedhjes së trajnerit, duke detyruar federatën të kërkojë alternativa të reja për drejtimin e “Axurrëve”.
Sipas mediave italiane, vendimet e fundit kanë favorizuar rikthimin e mundshëm të Roberto Mancinit, i cili konsiderohet tashmë kandidati kryesor për stolin e kombëtares. Presidenti i Federatës, Giovanni Malagò, e ka vlerësuar prej kohësh Mancinin si zgjidhjen ideale, dhe sipas raporteve Mancini, fitues i Europianit 2021 si trajner i Italisë, është i gatshëm të kthehet në krye të ekipit pavarësisht zhvillimeve të fundit brenda Federatës.
Në garë mbetet edhe Antonio Conte, megjithëse ai ka deklaruar së fundmi se nuk është kontaktuar nga Federata. Conte vazhdon të përfitojë mbështetjen e një pjese të presidentëve të klubeve të Serie A, të cilët potencialisht mund të ndikojnë në vendimin përfundimtar. Më tej, në Itali qarkullojnë edhe sugjerime që Giorgio Chiellini të marrë rolin e drejtorit teknik të kombëtares pas largimit të Maldinit, një pozicion që mund të ndikojë në procesin e zgjedhjes së trajnerit të ri.
Procesi i zgjedhjes vjen pas refuzimeve të disa emrave të mëdhenj si Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti, dhe pas tërheqjes së Andrea Pirlos nga gara, duke krijuar për Federatën një nga proceset më komplekse të viteve të fundit për emërimin e trajnerit të kombëtares. Në këto kushte, mediat dhe zyrtarët federativ raportojnë se rikthimi i Mancinit shihet si opsioni më i besueshëm për të rikthyer stabilitetin në pankinën e ekipit kombëtar, ndërsa debatet dhe konsulencat e brendshme vazhdojnë për të përcaktuar emrin final që do të marrë detyrën.

