Deklaratat e Javier Zanetti për talentin argjentinas Nico Paz shkaktuan reagim të fortë nga trajneri i Comos, Cesc Fàbregas. Zanetti kishte vlerësuar publikisht mesfushorin e ri duke thënë se ai është në rrugën e duhur për t’u bërë një lojtar i madh dhe se futbollistë të tillë kërkohen nga klubet më të mëdha.
Këto komente nuk u mirëpritën nga Fàbregas, i cili kërkoi më shumë respekt për situatën kontraktuale të lojtarit. Trajneri spanjoll reagoi ashpër në konferencë për shtyp, duke theksuar se për të ardhmen e Paz mund të flasin vetëm Real Madrid dhe Como. Ai përmendi figurën e Zanettit, por paralajmëroi se është e rëndësishme të respektohen këto dinamika: “Zanetti ka qenë një figurë shumë e rëndësishme në futboll dhe i njeh mirë këto dinamika. Por Nico është 50% lojtar i Comos dhe i vetmi klub që mund të flasë është Real Madridi,” deklaroi Fàbregas.
Trajneri shprehu gjithashtu pakënaqësi për atë që e përshkroi si “mesazhe të vogla” që vijnë nga jashtë klubit, duke kërkuar që të mos spekulohet mbi të ardhmen e lojtarit pa respektuar marrëveshjet. Ai bëri të qartë pozicionin e tij mbi destinacionin e mundshëm të Paz: “Një gjë është e sigurt: Nico Paz nuk do të luajë për Interin. Ose do të rikthehet te Real Madridi, ose do të luajë përsëri për Comon sezonin e ardhshëm.”
Përveç çështjes së transferimeve dhe pronësisë së kartonit, Fàbregas foli edhe për gjendjen fizike të lojtarit përpara sfidës së rëndësishme ndaj Cremonese, një ndeshje që mund të ndikojë në fatin europian të Comos për sezonin e ardhshëm. Sipas trajnerit, stafi teknik po e vlerëson nëse Nico Paz do të jetë i gatshëm të luajë të dielën. Fàbregas përfundoi duke vlerësuar kontributin e lojtarit: “Po shohim nëse mund të luajë apo jo, por ai e meriton të jetë në fushë sepse na ka ndihmuar shumë.”

