Në kuadër të kontrolleve intensive për goditjen e armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Policisë finalizuan dy operacione të koduara “Aksi” dhe “Hidden Guns”, në Fier dhe Mallakastër, duke vënë në pranga tre shtetas dhe duke sekuestruar tre armë. Të arrestuarit janë identifikuar si Miklejin Monce, 19 vjeç, banues në Vlorë; Flavio Bregu, 28 vjeç, banues në Vlorë; dhe Ilir Sinaj, 38 vjeç, banues në fshatin Lofkënd, Mallakastër. Në total u sekuestruan dy armë zjarri dhe një armë gjahu.
Operacioni i koduar “Aksi”, i finalizuar në Bypass-in e Fierit, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet operative se një shtetas po lëvizte i armatosur me armë zjarri në automjet. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 19-vjeçari Miklejin Monce, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë. Pas procedimeve të mëtejshme u arrestua edhe pasajeri i automjetit, Flavio Bregu, i dyshuar se kishte dijeni për posedimin dhe qëllimin e shitjes së armës në Fier.
Në Mallakastër u finalizua operacioni “Hidden Guns”, ku u arrestua në flagrancë Ilir Sinaj. Ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një tjetër shtetas. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë rezultoi në neutralizimin e situatës, arrestimin e personit të dyshuar dhe sekuestrimin në banesë të dy armëve që i mbante pa leje: një armë zjarri tip kallashnikov dhe një armë gjahu.
Materialet procedurale lidhur me këto ngjarje u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme. Policia njofton se këto veprime janë pjesë e kontrolleve intensive për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.

