Një ngjarje e rëndë dhe ende e mbuluar nga misteri ka ndodhur në jug të Italisë, ku katër persona u gjetën të pajetë dhe të djegur brenda një automjeti në një pikë karburanti në bregdetin e Jonit, në provincën e Cosenzës. Sipas informacioneve paraprake, viktimat dyshohet se janë emigrantë me origjinë pakistaneze, por identifikimi i tyre dhe konfirmimi i shtetësisë janë ende në proces nga autoritetet hetimore.
Alarmi për incidentin u dha rreth orës 13:00, kur shërbimet e emergjencës morën njoftime për një automjet të përfshirë nga flakët në stacionin e karburantit. Zjarrfikësit, pas mbërritjes në vendngjarje, arritën të shuajnë zjarrin dhe gjatë ndërhyrjes zbuluan katër trupat brenda makinës. Gjendja e rëndë e trupave, të dëmtuar nga flakët, ka vështirësuar punën për të përcaktuar nëse viktimat kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit apo dëmtime të tjera para shpërthimit të zjarrit.
Në hetime janë përfshirë policia rrugore, hetuesit e skuadrës speciale të Kozencës dhe Karabinierët, të cilët po punojnë për identifikimin e viktimave dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Autoritetet theksojnë se kushtet në të cilat u gjet automjeti duket se përjashtojnë mundësinë e një aksidenti të zakonshëm rrugor, ndaj po shqyrtohen pista të ndryshme. Hipoteza kryesore në këtë fazë, sipas hetuesve, mbetet ajo e një vrasjeje të mundshme, ndërsa po merren parasysh të gjitha pistat hetimore.
Për të rendimentuar hetimet, pritet që të analizohen regjistrimet nga kamerat e sigurisë së pikës së karburantit dhe të zonave përreth, që autoritetet e konsiderojnë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet italiane përpiqen të përcaktojnë identitetin e viktimave dhe të vendosin nëse kemi të bëjmë me një akt kriminal të mirëorganizuar apo me një tjetër skenar.
