Tre zjarrfikës humbën jetën në dy episode të ndodhura të mërkurën në Greqi. Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, dy anëtarë të forcave zjarrfikëse të Kretës, 25 dhe 58 vjeç, vdiqën në zonën e Rethymnos gjatë operacioneve për të luftuar flakët. Informacionet e para tregojnë se ata po operonin në një zonë të izoluar kur u rrethuan nga zjarri dhe humbën jetën në vend; policia gjeti më vonë automjetin e tyre tërësisht të djegur. Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, raporton se dy zjarrfikës të tjerë pësuan dëmtime të rënda dhe ndodhen në spital, por jashtë rrezikut për jetën.
Viktima e tretë u shënua në zjarrin në zonën e Gjithios, në Peloponez. Ai është shefi i zyrës rajonale të zjarrfikësve në Lakoni; policia njoftoi se zjarrfikësi 30-vjeçar humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak, të shkaktuar nga lodhja dhe tensioni i madh fizik gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, i cili prej 24 orësh kishte përfshirë qindra hektarë në atë zonë.
Beteja me flakët vazhdon me intensitet në Peloponez, në ishullin Paros, në Mitilini dhe në Kretë, ku zjarri është përhapur në një front prej më shumë se 15 kilometrash mes Rethymnos dhe Hanias. Në terren po operojnë qindra zjarrfikës dhe vullnetarë, por kushtet atmosferike mbeten tepër të vështira, me temperatura rreth 40 gradë Celsius dhe erëra që arrijnë deri në 8 ballë të shkallës Bofor.
Në zonën e Hanias, rreth 2 mijë turistë dhe banorë u evakuuan përmes detit me anije dhe skafe private, pasi autoritetet nuk mundën t’u siguronin një rrugë të sigurt evakuimi nga toka. Situata alarmante pritet të zgjasë edhe për 48 orët e ardhshme. Mbrojtja Civile ka paralajmëruar rrezik të lartë për zjarre në disa zona të vendit dhe u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë me rigorozitet urdhrat e autoriteteve, nëse kjo do të jetë e nevojshme. (Top Channel)

