Autoritetet tajlandeze kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse neglizhenca dhe shkeljet e sigurisë shkaktuan zjarrin në një lokal në Bangkok, ku të paktën 30 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, disa dyer mund të kenë qenë të mbyllura dhe mungonin tabelat orientuese për daljet e emergjencës. Ekspertët dyshojnë se përdorimi i materialeve lehtësisht të djegshme për dekorim ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Zjarri nisi pranë skenës dhe u përhap brenda pak sekondash. Shumë nga viktimat u gjetën në tualetet e lokalit, ku dyshohet se kishin tentuar të largoheshin, por nuk kishin mundur të dilnin. Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku mund të ketë qenë një qark i shkurtër në sistemin e ajrit të kondicionuar, i cili shkaktoi ndërprerje të energjisë në ambient.
Ekspertët e sigurisë kanë ngritur shqetësime për mungesën e masave mbrojtëse; sipas tyre, një derë pranë tualeteve ishte e kyçur, ndërsa hyrjet kryesore ishin pjesërisht të bllokuara nga mobilie dhe objekte të tjera. Dekorimet pranë skenës, përfshirë materiale plastike dhe elementë të tjerë të djegshëm në tavan, mund të kenë favorizuar përhapjen e zjarrit dhe krijimin e tymrave toksikë.
Mbi 70 persona kanë mbetur të plagosur, 24 prej tyre në gjendje kritike. Autoritetet konfirmuan se lokali ishte i regjistruar si “restorant me muzikë live” dhe jo si ambient argëtimi, çka e përjashtonte nga disa kërkesa më të rrepta për përdorimin e materialeve kundër zjarrit. Administrata e Bangkokut njoftoi se do të rishikojë rregullat për sigurinë nga zjarri në lokale dhe restorante.
Sipas mediave tajlandeze, pronari i lokalit kishte pasur më parë një tjetër pub në provincën Yasothon, i cili u shkatërrua nga zjarri në vitin 2019; në atë rast nuk pati viktima pasi ngjarja ndodhi gjatë ditës. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet e sakta të tragjedisë.

