Ish-mesfushori i kombëtares sllovene, Kevin Kampl, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij profesionale në një vendim të papritur, për arsye personale që shkojnë përtej futbollit. Pas vdekjes së vëllait të tij të madh, Sekiut — të cilin Kampl e përshkroi si mbështetjen dhe mikun e tij më të ngushtë — lojtari vendosi të varë këpucët në gozhdë për t’u përkushtuar plotësisht familjes. Shtatë muaj më vonë, ai humbi edhe babanë, dhe Kampl e përshkroi vitin si “të tmerrshëm” në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild, duke thënë se ishte shumë e vështirë ta pranojë atë që kishte ndodhur, megjithëse jeta duhet të vazhdojë.
Pas këtyre humbjeve, Kampl u zhvendos me bashkëshorten Vanessa dhe dy djemtë, Jordi dhe Luis, në ishullin e Majorkës, ku jeta e tij mori një kthesë rrënjësore. Në vend të zhurmës së stadiumeve dhe dritave të prozhektorëve, ai kalon ditët duke punuar në fermën e tij, ku merret me kultivimin e frutave dhe perimeve. Përmes rrjeteve sociale ka befasuar fansat duke ndarë pamje nga jeta e tij e re rurale, duke treguar me krenari të vjelat: pjepra, shalqinj, domate, speca e qepë, ndërsa familja prodhon edhe vajin e ullirit. “Gjithçka po rritet me ritme të çmendura,” shkruan ish-futbollisti, i mrekulluar nga ndryshimi i stilit të jetës.
Megjithëse ka mbyllur kapitullin si lojtar, futbolli mbetet i lidhur ngushtë me zemrën e tij. Kampl, i njohur për karrierën e tij te klubet gjermane Bayer Leverkusen, Borussia Dortmund dhe RB Leipzig, ndjek rregullisht ndeshjet e Leipzig-ut, ku ka regjistruar mbi 250 paraqitje dhe ka fituar trofe. Ai nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në futboll në një rol tjetër, duke shprehur optimizëm për të ardhmen: “Një ditë, do të jem trajner te Leipzig.” Pas dy humbjeve të rënda familjare, ish-ylli i Bundesligës thotë se ka gjetur paqen pranë tokës dhe njerëzve të tij më të dashur.

