Tifozët dhe mediat kroate reaguan me indinjatë dhe zhgënjim pas eliminimit të kombëtares së tyre nga Kupa e Botës në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, pas humbjes 2-1 ndaj Portugalisë në Toronto. Goli vendimtar i Gonçalo Ramos erdhi në minutën e 94-t, ndërsa episodi më i diskutuar u zhvillua në minutën e 103-të, kur një gol i Josko Gvardiol u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.
Gjyqtari norvegjez Espen Eskas fillimisht e akordoi golin, por vendimi u ndryshua pas rishikimit. Sipas FIFA-s, sensorët e integruar në topin zyrtar treguan se Igor Matanović kishte prekur topin në ndërtimin e aksionit, fakt që ndikoi në vendimin përfundimtar. Ky anulim i golit, që do të kishte barazuar shifrat, shkaktoi reagime të forta në Kroaci.
Media vendase kritikoi ashpër gjykimin dhe mënyrën e eliminimit. Gazeta Večernji list e përshkroi performancën e arbitrit si të njëanshme, duke titulluar reagimin e saj “Kroacia u grabit, qëllimisht”. Media sportive N1 Sportklub e cilësoi përballjen “Tragjedia në Toronto” dhe e lidhte eliminimin me momentet vendimtare të ndeshjes, duke përshkruar anulimin e golit të barazimit si “momentin kur ëndrra vdiq”.
Faqja Gol.dnevnik.hr analizoi episodin në detaje dhe vuri në dukje se prekja e supozuar e Matanović ishte e vështirë për t’u dalluar edhe në pamje të ngadalësuara, duke sjellë komente sarkastike mbi teknologjinë e përdorur. Reagime të shumta erdhën edhe nga tifozët në rrjet, të mbledhura nga portali Net.hr, ku shumë prej tyre e cilësuan vendimin si të padrejtë dhe “grabitje”. Disa tifozë shprehën zemërim edhe ndaj Matanoviçit, duke i kërkuar llogari përse nuk është qethur “zero”.
Kroacia, finaliste në Kupën e Botës 2018 dhe e treta në Katar 2022, përfundoi kështu pjesëmarrjen në turne pas një faze të paqëndrueshme në grupe dhe një eliminimi të mbushur me polemika.

