Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të shtyjë të gjitha 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit, të planifikuara për t’u zhvilluar këtë të mërkurë në Spanjë. Vendimi u mor pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë në provincën e Toledos dhe është shprehur si një shenjë respekti dhe solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre. RFEF njoftoi se datat e reja të zhvillimit të takimeve dhe oraret përfundimtare do të bëhen publike në ditët në vijim.
Mes skuadrave që pritej të luanin në raundin e parë ishin ekipe të La Ligës, përfshirë Valencia, Celta Vigo dhe Real Betis. Real Madrid dhe Barcelona do të hyjnë në garë në muajin dhjetor, duke nisur nga faza e 1/16-ve, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në Superkupën e Spanjës.
Aksidenti hekurudhor ndodhi pak pas orës 09:00, mes qyteteve Mora dhe Orgaz, në provincën e Toledos. Në përplasjen u përfshinë dy trena me shpejtësi të lartë, të kompanive Renfe dhe Iryo, që udhëtonin nga Madridi drejt Seviljes. Në të dy trenat ndodheshin gjithsej 544 persona. Sipas një përfaqësuesi të autoriteteve të komunitetit autonom të Kastiljes-La Mançës, nga aksidenti dolën nga shinat dy vagona.
Në kohën e raportimit, të paktën 46 persona dyshohej se kishin humbur jetën, ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritej. Pas tragjedisë, klube si Real Madrid dhe Atletico Madrid shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave, për të plagosurit dhe për të gjithë personat e prekur nga ngjarja.
Federata theksoi se shtyrja e ndeshjeve, si ato gjatë ditës ashtu edhe ato në mbrëmje, reflekton solidaritetin me viktimat e aksidentit, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet dhe operacionet e shpëtimit dhe asistencës për të prekurit. Data dhe oraret e reja të takimeve do të përcaktohen dhe komunikohet më vonë.

