Tre instruktorë të kërcimit me litar janë akuzuar për vdekjen e një 21-vjeçareje në Brazil, e cila u hodh nga një urë 40 metra e lartë pa qenë e lidhur me litarin e sigurisë. Ngjarja ndodhi të shtunën në Limeira, pranë Sao Paulos. Në total, policia ka arrestuar dhe marrë në pyetje gjashtë persona në lidhje me incidentin.
Sipas mediave braziliane, tre të arrestuarit që tani akuzohen zyrtarisht për vrasje nga pakujdesia janë Luis Felipe Feliciano Egoroff (32), Vitor de Freitas Goncalves (27) dhe Maicon Fernandes Cintra (42). Viktima është identifikuar si Maria Eduarda Rodrigues de Freitas. Një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon momentin kur instruktorët e ngrijnë dhe e lëshojnë nga e quajtura “Ura e Skeleteve”. Në pamje duket se vajza bie vertikalisht dhe vdes menjëherë, ndërsa litari i sigurisë mbetet i papërdorur mbi platformë.
Ngjarja u zhvillua përpara syve të të fejuarit të saj dhe dëshmitarëve të tjerë. Dy nga instruktorët u larguan vrap nga vendngjarja sapo kuptuan çfarë kishte ndodhur; ata u lokalizuan dhe u prangosën pak më vonë nga një helikopter ushtarak në një zonë të pyllëzuar pranë vendit të ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje, autoritetet thonë se dëshmitë e të akuzuarve kanë qenë tronditëse.
Autoritetet citojnë se “Dy nga të dyshuarit kryesorë u shprehën se nuk u kujtohej nëse e kishin lidhur litarin apo jo. Ata pretenduan se nuk e mbanin mend se ku ndodhi gabimi dhe kush e kishte për detyrë ta siguronte vajzën”. Instruktori i tretë, që po i mbante këmbët viktimës, u mbrojt duke thënë se ishte thirrur vetëm për të ndihmuar në momentin e hedhjes dhe nuk kishte përgjegjësi për pajisjet.
Tre personat e tjerë të ndaluar, të pranishëm pranë pikës së kërcimit për të shpërndarë bileta dhe byzylykë, u liruan më pas nga policia. Pamjet e incidentit kanë shkaktuar një valë indinjate dhe zemërimi në opinionin publik vendas e më gjerë.

