Topi i golit të famshëm “Dora e Zotit” dhe i “golit të shekullit” të shënuar nga Diego Armando Maradona në stadiumin Azteca gjatë çerekfinales së Botërorit 1986 ndaj Anglisë u shit në një ankand në Dallas. Topi origjinal, me autenticitetin e konfirmuar përmes verifikimeve fotografike, u shiti në shtëpinë e ankandeve Heritage Auctions për 2.87 milionë euro (3.35 milionë dollarë). Shuma e arritur qëndroi nën vlerësimet e parashikuara para ankandit, të cilat flisnin për një shitje me të paktën 8.56 milionë euro (10 milionë dollarë).
Objekti kishte qenë në ruajtje për 36 vjet nga arbitri tunizian Ali Bin Nasser, përpara se të dorëzohej në Londër në 2022 për rreth 2.34 milionë euro. Shitja në Dallas nuk arriti të thyejë rekorde për vlerën e një topi sportiv: rekordin për vlerën e një topi e mban një top bejzbolli që mbahej nga Shohei Ohtani, i shitur për mbi 3.76 milionë euro. Rekordin absolut për një objekt përkujtimor sportiv e mban uniforma e bejzbollistit të New York Yankees, Babe Ruth, nga viti 1932, e cila u shit për më shumë se 20.65 milionë euro.
Në të njëjtin vit, 2022, fanella që Maradona veshi në çerekfinalen e Botërorit 1986 ndaj Anglisë u shit në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s për rreth 7.96 milionë euro. Ankandet dhe shitjet e këtyre objekteve rikujtojnë interesin e koleksionistëve dhe vlerësimin e artifakteve lidhur me ngjarjet ikonike sportive, ndërsa çmimet e arritura reflektojnë edhe pritshmëritë e tregut që shpesh shkojnë përtej vlerës historike të objekteve.

