Dokumenti me 39 faqe, i quajtur BESA dhe i dorëzuar dje nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit dhe kabinetit, përshkruhet si “Dokumenti Strategjik i kthesës së mandatit të katërt.” Top Channel publikohet këtë dokument, i cili sipas Ramës përcakton diagnozën, objektivin, aftësitë që duhet të ndërtojë qeverisja, mekanizmat e zbatimit, arkitekturën e përgjegjësisë, testin e parë dhe mënyrën e matjes.
Teksti saktëson se “Nuk është program sektorial, rregullore administrative apo dokument komunikimi.” Dokumenti i drejtohet qeverisë, administratës dhe familjes politike, por parashikon që parimet dhe mekanizmat e tij duhet të përballen edhe me publikun, komunitetet profesionale, shoqërinë civile, universitetet dhe brezin e ri. Zbatimi nuk matet nga miratimi i tekstit, por nga ndryshimi i mënyrës si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet.
BESA thekson se instrumentet e propozuara nuk u mbivendosen roleve të institucioneve dhe vë në dukje se konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit rregullator dhe planet e performancës ekzistojnë tashmë. Roli i dokumentit është t’i bashkojë këto mjete “në një standard të vetëm besueshmërie” dhe kërkon që çdo detyrim i ri të zëvendësojë, bashkojë ose thjeshtojë një procedurë ekzistuese.
Në mënyrë të qartë, BESA liston shtatë aftësi që qeverisja e besueshme duhet të zhvillojë gjatë këtij mandati. Sipas dokumentit:
– “Dëgjimi” — institucionet kuptojnë shoqërinë përpara se pakënaqësia të bëhet krizë.
– “Prova” — çdo vendim strategjik mbështetet mbi evidencë të verifikueshme.
– “Shpjegimi” — transparenca nuk mbaron te publikimi, po arrin te kuptimi.
– “Kujdesi” — mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit peshojnë sa investimi i ri.
– “Matja” — administrata mat jo vetëm aktivitetin, po ndryshimin në jetën e qytetarit.
– “Mësimi” — gabimi kthehet në njohuri dhe nuk përsëritet si zakon institucional.
– “Parashikimi” — rreziku dallohet kur është ende sinjal dhe jo pasi është bërë krizë.
Dokumenti paraqitet si udhërrëfyes për standardizimin e përgjegjësisë dhe praktikave qeverisëse, duke theksuar përshtatjen e proceseve ekzistuese dhe matjen e rezultateve në jetën e qytetarëve.

