Sanksioni i UEFA për sulmuesin e Benficas, Gianluca Prestianni, për incidentin me Vinicius në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit u rëndua nga FIFA, e cila e bëri atë të vlefshëm në të gjitha kompeticionet. Kjo gjë e komplikon pjesëmarrjen e sulmuesit argjentinas në Botërorin e këtij viti.
UEFA e ndëshkoi Prestiannin me gjashtë ndeshje pezullim, nga të cilat tre janë lënë me kusht në rast përsëritjeje. Njërën prej ndeshjeve të përmendura thuhet se e kreu vetë futbollisti, duke u referuar sfidës së kthimit në Bernabeu. Hetimet nuk konfirmuan pretendimet për fyerje raciste nga ana e Prestiannit, por u vërtetuan fyerje me përmbajtje homofobike, për të cilat ai u dënua.
Për shkak të vendimit të FIFA-s, pezullimi aplikohet edhe në nivel ndërkombëtar, duke sjellë efekt direkt për Botërorin. Prestianni nuk do të mund të luajë në dy ndeshjet e para të turneut dhe rrezikon të humbasë më shumë sfida nëse të njëjtën sjellje e përsërit. Kjo lë një pasiguri për kombinacionin e skuadrës dhe për përdorimin e tij nga stafi teknik i përfaqësueses argjentinase.
Tani vendimi i mëtejshëm varet nga trajneri Lionel Scaloni dhe stafi i tij. Nëse ai vendos ta thërrasë Prestiannin në listën e përfaqësueses, duhet të ketë parasysh se futbollisti nuk do të mund të aktivizohet në dy ndeshjet e para të Botërorit. Prestianni ka qenë pjesë e thirrjeve të fundit të ekipit kombëtar, por jo me një rol prioritar, çka vështirëson vendimmarrjen për përfshirjen ose lënien jashtë të tij.
Stafi teknik i kampionëve në fuqi të botës duhet të raportojë mbi strategjinë dhe prioriteteve të skuadrës, duke vendosur nëse do të mbajnë Prestiannin në përbërje pavarësisht pezullimit, ose do të zgjidhin alternativa të tjera për dy ndeshjet e para të Botërorit. Top Channel

