Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ftoi demokratët dhe mbështetësit të dalin në protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke shprehur “mbështetjen më të fuqishme” të PD-së për protestën e rinisë dhe qytetarëve. Ai përshkroi tubimin si një “uragan të fuqishëm kundër diktaturës autoritare” dhe regjimit të Edi Ramës, që sipas tij bazohet në “farsën zgjedhore, krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”. Berisha tha se Tirana nuk ka njohur në histori një protestë kaq të madhe dhe masive.
Berisha u bëri thirrje gjithë demokratëve, por edhe qytetarëve në përgjithësi, të bashkohen në protestë, të cilën e përshkroi si krijesë që tejkalon forcën e partive politike dhe synon vendosjen e fundit të “regjimit autokratik” të Edi Ramës. Ai deklaroi se një seri ligjesh, për të cilat deputetët e PD-së kanë votuar kundër në komisione dhe seanca plenare, duhet të anulohen, pasi i konsideroi antikushtetues dhe në kundërshtim me direktivat e Komisionit Europian.
Berisha denoncoi ashpër qëndrimin e Edi Ramës dhe të rrethit të tij ndaj protestës dhe kërkesave të protestuesve, duke e cilësuar si të papërgjegjshëm, cinik dhe armiqësor. Ai paralajmëroi se me këtë qëndrim Rama kërkon të çojë vendin në kaos. Kryetari i PD-së kritikoi organizimin e anti-mitingjeve nga pala tjetër, të cilat i quajti përpjekje për të sfumuar protestën paqësore, dhe i përshkroi ato si “anakronike” e si takime që ngjajnë me ato të mafies. Berisha i bëri thirrje Ramës të heqë dorë menjëherë nga këto anti-mitingje dhe të mos provokojë protestën e studentëve dhe të rinisë me tubime që ai i quajti “mafioze”.
Ai gjithashtu kërkoi mbështetje nga opinioni publik dhe aktorët politikë ndërkombëtarë për protestën, të cilën e përshkroi si mision për “shpëtimin e Shqipërisë nga narko-regjimi i Edi Ramës”. Në përfundim, Berisha dënoi provokacionet e Ramës ndaj protestuesve dhe përdorimin e epitetëve dhe, siç tha ai, “fikseve” dhe “halucinacioneve”. Top Channel.

