Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të një videoje ku shfaqet 19-vjeçari L. B. me këmbën e thyer teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Për rastin janë nisur verifikime për të sqaruar rrethanat dhe mënyrën e trajtimit të të miturit nga punonjësit e Policisë.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka hapur hetim disiplinor ndaj të pezulluarve, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për incidentin. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është ngritur gjithashtu një grup i posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, i cili ka për detyrë të verifikojë dhe analizojë të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë gjatë tubimit, nga fillimi deri në përfundim, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës.
Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi. Institucioni shton se hetimet interne dhe ato nga organet përgjegjëse do të përcaktojnë përgjegjësitë dhe masat e mëtejshme.
Në reagim të përgjithshëm për ngjarjet në kryeqytet, Policia e Shtetit distancohen nga aktet e dhunshme që janë shfaqur, duke përmendur dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, të cilat sipas saj nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen. Policia i bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit, dhe u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm për të garantuar sigurinë e tyre.

