Thomas Tuchel ka vendosur të mos i lërë asgjë rastësisë për të bërë Anglinë të fitojë titullin e parë botëror që nga 1966. Skuadra është në grumbullim në Florida që nga 1 qershori dhe stërvitet në orët më të nxehta për t’u mësuar me temperaturat dhe lagështinë e parashikuar gjatë turneut në SHBA, Meksikë e Kanada. Trajneri ka menaxhim të hollësishëm të stërvitjeve dhe e nxit ekipin me shumë aktivitetet e grupit, përfshirë një ndeshje miqësore kundër Miami United, skuadër nga divizioni i katërt i futbollit në SHBA, për të ekuilibruar minutazhin e lojtarëve para debutimit kundër Kroacisë të mërkurën e ardhshme.
Stafi po studion veçanërisht menaxhimin e ndeshjes pas pauzave për hidratimin, tri minuta që FIFA i ka vendosur për të luftuar efektet e nxehtësisë. Si shembull po shikojnë edhe finalen e madhe të NBA mes Neë York Knicks dhe San Antonio Spurs për ide rreth asaj se si mund të përdoren pauzat për të influencuar garën. Ndërsa pauzat për ujë në futboll janë të fiksuara dhe jo si ndërprerjet taktike që trajnerët marrin në basketboll, Tuchel po shqyrton mënyra praktike për t’i shfrytëzuar ato.
Duke mos arritur te masat ekstreme të Mauricio Pochettino — i cili gjatë një pauze për hidratim në miqësoren me Senegalin nxori laptopin dhe diskutoi me lojtarët — Tuchel dhe stafi po mendojnë të përdorin një tabelë me magnetë për të komunikuar manovra të shpejta pas rikthimit në fushë. Ata synojnë të aplikojnë idenë e “after timeout”, skema të fikse si në basketboll, për të përfituar menjëherë, qoftë në sulm apo në organizimin mbrojtës, veçanërisht në fazën e presingut.
Tuchel e pranon se futbolli nuk është basketboll, por përkushtimi ndaj detajeve përfshin edhe këtë element: të mos jenë të papërgatitur pas rikthimit në lojë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që ofrohet. Ai dhe stafi po përgatisin një seri aksionesh që mund t’u përdoren lojtarëve pas pauzave për hidratimin. Objektivi kryesor mbetet që Anglia të fitojë Botërorin; për këtë arsye po merren në konsideratë edhe skemat pas pauzave, ndërsa vazhdojnë të punojnë mbi goditjet standarde, lëvizjet e mbrojtjes, presingun dhe përshtatjen me nxehtësinë dhe lagështinë.

