Christopher Nolan ka rikthyer në qendër të vëmendjes veprën e Homerit me filmin “The Odyssey”, që shënon një nga projektet më ambicioze të karrierës së tij dhe po regjistron sukses të jashtëzakonshëm në kinema. Filmi debutoi me 264.1 milionë dollarë arkëtime globale gjatë fundjavës së parë, duke shënuar hapjen më të suksesshme në karrierën e regjisorit; vetëm në SHBA dhe Kanada arkëtoi 124.5 milionë dollarë. Shfaqjet në IMAX vendosën rekord historik me mbi 52 milionë dollarë të ardhura ndërkombëtarisht.
Për realizimin e projektit, Nolan bashkëpunoi ngushtë me IMAX dhe kërkoi zhvillimin e një gjenerate të re kamerash: “The Odyssey” është produksioni i parë i madh komercial i xhiruar tërësisht me këto kamera, një teknologji që pritet të përdoret edhe nga regjisorë të tjerë në të ardhmen. Suksesi i filmit po perceptohet si një tjetër dëshmi e fuqisë së emrit të Nolan në industrinë filmike; analistët e konsiderojnë regjinë e tij si një markë të veçantë, ndërsa mijëra spektatorë kanë udhëtuar në qytete të ndryshme për ta parë filmin në formatin IMAX 70 mm, duke e kthyer premierën në një fenomen global kinematografik. Një element që ka tërhequr vëmendjen është edhe kolona zanore.
Kritika vë në dukje se filmi nuk ndjek në mënyrë strikte poemën e Homerit: Nolan ka ndryshuar ose hequr disa elemente mitologjike, ka zgjeruar episodin e Kalit të Trojës dhe ka ndërtuar një fund ndryshe nga ai i veprës origjinale. Regjisori ka zhvendosur fokusin nga ndërhyrjet e perëndive drejt traumave njerëzore, kujtesës dhe rikthimit të Odiseut në Itakë.
Kompozitori fitues i Oscar, Ludwig Göransson, kërkoi një identitet muzikor autentik për botën homerike dhe udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt e fyellit dyjar. Këto elemente tradicionale u integruan në kolonën zanore për t’i dhënë filmit një atmosferë arkaike dhe të veçantë. Iso-polifonia shqiptare, e shpallur nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, dëgjohet në disa prej momenteve kyçe të filmit, dhe për herë të parë paraqitet në një produksion hollivudian të kësaj përmasë.

