Amir Rrahmani njoftoi largimin nga Kombëtarja e Kosovës pas një dekade kontribut, shtatë prej të cilave si kapiten. Vendimi i tij u bë publik dhe shoqërohet me akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Në reagimin e tij, Rrahmani deklaron se nuk do të veshë më fanellën e Kosovës “për sa kohë institucioni drejtohet nga personat aktualë”.
Mbrojtësi kritikon mënyrën e menaxhimit të Federatës, duke pretenduar se moszgjidhja e problemeve të përfaqësueses lidhet me mungesën e kompetencës së drejtuesve. Akuza më e fortë qëndron te ajo që ai e përshkruan si një sulm të vazhdueshëm dhe të koordinuar kundër tij dhe ekipit “për më shumë se dy vite” nga njerëzit që, sipas tij, duhej t’i mbronin. Në mesazhin e publikuar, ai shkruan: “Çfarë mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin”.
Rrahmani thekson se vendimi për t’u larguar nuk është marrë lehtë. Ai arsyeton largimin si një mënyrë për të mbrojtur integritetin e tij si kapiten, si futbollist profesionist dhe si njeri. Pas dhjetë viteve me fanellën e Kosovës dhe shtatë vitesh me shiritin e kapitenit, ai e konsideron këtë hap si përfundim të një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij me përfaqësuesen dardane.
Lajmi ka tronditur përfaqësuesen dhe shënon një nga përplasjet më të forta publike mes një prej figurave kryesore të Kombëtares dhe drejtuesve të FFK-së. Mesazhi i Rrahmanit është i qartë në lidhje me kushtin për rikthim: ai nuk do të rikthehet në Kombëtare për sa kohë që drejtuesit aktualë të Federatës mbeten në detyrë.

