Këshilltari i Lartë i FIFA-s, Carlos Cordeiro, dhe Drejtori i Operacioneve, Kevin Lamour, kanë dalë publikisht kundër presidentit Gianni Infantino, duke e akuzuar për mashtrim dhe vendimmarrje autokrate lidhur me një plan të fshehtë për shitjen e një pjese të aksioneve të Kupës së Botës te fondet e kapitalit privat. Lamour kërkoi pezullimin e menjëhershëm të projektit, duke thënë se punonjësit e FIFA-s janë “mashtruar” nga mungesa e transparencës së Infantinos dhe se meritojnë më shumë sesa “përbuzje dhe frikësim”. Ai deklaroi se projekti “nuk është punë e FIFA-s” por “ekskluzivisht e një personi të vetëm”, duke përmendur se nuk u përfshinë zëvendëspresidentët, anëtarët e Këshillit, konfederatat, ligat, klubet dhe tifozët, dhe se edhe administrata e FIFA-s u mashtrua.
Lamour e përshkroi situatën si një “gënjeshtër me mosveprim” dhe një ushtrim të njëanshëm të pushtetit, që sipas tij tregon mungesë besimi, transparence dhe qeverisjeje të mirë. Ai theksoi se misioni i FIFA-s është t’i shërbejë futbollit dhe jo interesave personale të një individi: “Misioni ynë, i qindra punonjësve të përkushtuar e shembullorë, është t’i shërbejmë futbollit, jo interesave personale të një njeriu që, për fat të keq, beson se mishëron FIFA-n.” Lamour shtoi se një president duhet t’i bashkojë dhe t’i frymëzojë njerëzit, ndërsa sot shumë prej stafit nuk ndihen më krenarë që punojnë për FIFA-n.
Lamour, i cili hyri në botën e futbollit dy dekada më parë si bashkëpunëtor i Michel Platinit, pranoi se deklarata e tij mund t’i kushtojë vendin e punës, por tha se ka detyrim ndaj vlerave dhe kolegëve dhe nëse do të humbasë punën “të paktën sonte do të fle i qetë.” Deklarata e tij erdhi pak orë pas dorëheqjes së Carlos Cordeiro-s, ish-bankier i Goldman Sachs dhe ish-president i Federatës Amerikane të Futbollit, i cili kërkoi që zyrtarët të flasin kundër marrëveshjes. Propozimi kontestues parashikon krijimin e një dege komerciale me vlerë 20 miliardë dollarë, e mbështetur nga një fond investimi në Nju-Jork, i drejtuar nga Joshua Kushner; Cordeiro tha se nuk kishte pasur asnjë përfshirje dhe e kundërshtoi fuqimisht si “një marrëveshje e keqe për futbollin.”

