Trajneri i kombëtares iraniane, Amir Ghalenoei, tha në konferencën për shtyp në Los Angeles Stadium se skuadra është “këtu për të luajtur futboll” dhe për të përfaqësuar me respekt popullin iranian, duke theksuar se “nuk jemi persona politikë, futbolli është i ndarë nga politika”. Irani zhvillon ndeshjen e parë të Botërorit kundër Zelandës së Re me tensionet mes Teheranit dhe Washingtonit në sfond dhe “pak orë larg njoftimit për arritjen e një marrëveshjeje”.
Ghalenoei vuri në dukje rëndësinë e respektit për të gjithë shtetasit iranianë, një shprehje me peshë veçanërisht në Los Angeles, ku jeton komuniteti më i madh iranian me mbi 500 mijë persona. Ai tha se vendimi për të spostuar bazën nga Arizona në Tijuana, pas përshkallëzimit të situatës në muajt e fundit, pati pasoja për përgatitjen e skuadrës. “Ka pasur një impakt, por duhet të falenderojmë popullin meksikan. Jemi mësuar të transformojmë vështirësitë në mundësi,” tha Ghalenoei, duke shtuar se skuadra kishte nevojë të stërvitej dy javë më parë, por erdhi vonë dhe nuk pati kohë të përshtatej siç duhej.
Futbollistët dhe stafi teknik mbërritën në Los Angeles nga Tijuana pasditen e së dielës dhe do të kthehen menjëherë pas ndeshjes. Trajneri theksoi gjithashtu se, pavarësisht rezultatit, futbolli duhet të sjellë gëzim: “Humbje apo fitore, futbolli duhet të sjellë gëzim. Jam përpjekur të bëj të mundur që lojtarët të përqendrohen te strategjia dhe të luajnë për Republikën e madhe iraniane.”
Në të njëjtën konferencë ishte i pranishëm sulmuesi Mehdi Taremi, i cili pranoi se kishte ndjerë shumë tension gjatë mbërritjes në SHBA. Taremi tha se “nuk ka goditur vetëm Iranin dhe jo vetëm futbollistët, por edhe arbitrat” dhe shtoi se shumë vende kanë pasur probleme me vizat, duke vënë në dukje se ky tension dëmton mesazhin e FIFA-s, që sipas tij duhet të promovojë paqe dhe gëzim.

