Prapaskenat pas shkarkimeve te AC Milan tregojnë se situata brenda klubit ka degraduar përtej çdo limiti profesional. Sipas raportimeve të mediave italiane, tensioni mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe këshilltarit të presidencës, Zlatan Ibrahimovic, kulmoi në një përplasje të ashpër në një ambient publik. Debati u përshkallëzua deri aty sa ishte e nevojshme ndërhyrja fizike për t’i ndarë dy protagonistët dhe për të shmangur një konflikt më të rëndë; ish-drejtori sportiv Igli Tare ndërhyri duke futur trupin e tij mes Allegrit dhe Ibrahimovic për të parandaluar që sherri verbal në restorant të kthehej në përleshje fizike.
Kjo ngjarje pasqyron thellësinë e një marrëdhënieje të thyer që daton që nga koha kur Ibrahimovic luante nën urdhrat e Allegrit, por që është rindezur kohët e fundit për shkak të divergjencave mbi strategjinë e klubit. Raportohet se dy udhëheqësit e Milanit nuk komunikonin fare me njëri-tjetrin prej javësh, që pas një debati të fortë në fillim të muajit prill lidhur me zgjedhjen e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm.
Konflikti u thellua kur Allegri zbuloi se Ibrahimovic po ndërhynte në kompetencat e tij, duke kontaktuar drejtpërdrejt lojtarë kryesorë si Rafael Leao dhe Youssouf Fofana për t’u dhënë udhëzime taktike jashtë kompetencave të trajnerit. Këto ndërhyrje, së bashku me mospërputhjet mbi drejtimin strategjik, kanë krijuar një atmosferë pune të rëndë dhe të tensionuar brenda zyrave kuqezi.
Ngjarja në restorant shihet si kulmi i një procesi që tregon se marrëdhëniet e brendshme janë bërë të papërballueshme, duke çuar në masat radikale dhe spastrimin e strukturave drejtuese të klubit. Raportimi përmend se këto ngjarje kanë nxjerrë në pah një fragmentim të qartë të roleve dhe komunikimit brenda Milanit, me pasoja direkte në organizimin dhe menaxhimin e skuadrës. Top Channel.

