Një ngjarje e rëndë u regjistrua të hënën në mëngjes në shkollën e mesme Lakanal në Aubagne, pranë Marsejës, ku një nxënës dyshohet se qëlloi me armë zjarri drejt drejtorit dhe një mësuesi. Sipas raportimeve të mediave franceze, i dyshuari është një 14-vjeçar që u arrestua menjëherë pas incidentit.
Kryetari i bashkisë së Aubagne, Jean-Pierre Squillari, bëri të ditur se nga të shtënat nuk u lëndua asnjë nxënës. Dy pjesëtarë të stafit arsimor morën ndihmë mjekësore; plagët e tyre nuk paraqesin rrezik për jetën. Raportimet saktësojnë se drejtori 53-vjeçar u qëllua në këmbë, ndërsa mësuesi 37-vjeçar u plagos në kofshë.
Sipas njoftimeve, nxënësi dyshohet të ketë hyrë në ambientet e shkollës me armë zjarri dhe më pas janë dëgjuar disa të shtëna. Përpara se të arrestohej, ai u neutralizua nga një pjesëtar i stafit të shkollës. Pas incidentit, të gjithë nxënësit u izoluan menjëherë në ambiente të sigurta; kryebashkiaku Squillari tha se masat e sigurisë u morën brenda pak sekondash.
Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, konfirmoi se drejtori dhe një mësues ishin plagosur nga të shtënat dhe njoftoi se nxënësi dyshohet të jetë autori i sulmit. Ministri pritet të vizitojë vendngjarjen së bashku me ministrin e Brendshëm, Laurent Nuñez, për të ndjekur nga afër situatën.
Sipas mediave franceze BFMTV dhe Le Parisien, bazuar në burime pranë hetimit, ngjarja nuk dyshohet të ketë lidhje me protestat e zhvilluara për kushtet në shkolla. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

