Të paktën një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar, u plagosën pas të shtënave me armë zjarri mëngjesin e së premtes, më 23 tetor, në dy zona të departamentit Yvelines, në periferi të Parisit. Ngjarjet u raportuan në qytetet Trappes dhe La Verrière, ku një person i armatosur hapi zjarr në disa pika publike, duke shkaktuar panik te banorët.
Të shtënat u raportuan pranë një zyre postare, një pike karburanti, një kopshti, një qendre kujdesi dhe një farmacie, si dhe pranë stacionit të trenit në La Verrière. Sipas raportimeve, autori po lëvizte me një automjet Renault Clio ngjyrë gri dhe qëllonte nga brenda makinës drejt personave në zonë. Ai u arrestua pak më vonë në zonën e Quanières.
Burime të cituara nga gazeta Le Parisien bëjnë me dije se i dyshuari mund të ketë përdorur një armë automatike të tipit STEN, e prodhuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Alarmi u përhap edhe në rrjetet sociale, ku përdoruesit paralajmëronin banorët për praninë e personit të armatosur dhe i bënin thirrje të qëndronin në shtëpi për të shmangur rrezikun.
Kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, reagoi duke shprehur shqetësim për natyrën e sulmit: “Ai qëllonte pa dallim, donte të shkaktonte një masakër. Jam shumë i shqetësuar”, tha ai. Autoritetet publike, sipas njoftimeve, kanë mobilizuar forcat e sigurisë dhe organet e drejtësisë për hetimin e rastit. Një zyrtar shtetëror theksoi në rrjetet sociale se ngjarjet janë shumë të rënda, se personi është ndaluar dhe vendosur në paraburgim, dhe se të gjitha mjetet e forcave të sigurisë dhe organit gjyqësor janë angazhuar; Prokuroria Kombëtare Antiterrorizëm njoftoi se po e ndjek rastin.
Deri tani motivet e autorit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten të paqarta. Autoritetet të ngarkuara me hetimin deklarojnë se do të komunikojnë në kohën e duhur.

