Në prill u drejtua një vrojtim statistikor në terren mbi vetidentifikimin ideologjik dhe bindjet/vlerat e banorëve të rritur të Shqipërisë. Studimi u financua nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) dhe u bazua në një kampion të rastësishëm e të shtresëzuar gjeografikisht prej 1,119 të rriturish në të 12 qarqet, duke siguruar përfaqësim demografik, gjeografik dhe politik me një marzh gabimi statistikor nën 2.9%.
Pyetësori përfshiu midis të tjerash moshën, mënyrën e votimit vjet dhe vetidentifikimin ideologjik (pavarësisht mënyrës së votimit). Duke kryqëzuar përgjigjet për këto pyetje, studiuesi llogariti sa të anketuar të çdo grupmoshe votuan ose nuk votuan vjet, apo për kë votuan ata që morën pjesë në zgjedhje, si dhe vetidentifikimin ideologjik sipas çdo grupmoshe. Për shkak se kampioni përfaqësonte statistikisht popullsinë e rritur të vendit, rezultatet përshkruhen si një pasqyrë e përafërt e elektoratit në Shqipëri.
Nga ekstrapolimi i përafërt statistikotor, rreth 48% e të rinjve 18–34 vjeç nuk votuan fare vjet ose votuan për parti të vogla. Në krahasim, vetëm 24% e personave 65 vjeç e sipër nuk votuan fare vjet ose votuan për parti të vogla. Siç pasqyrohet në Tabelën 1, sa më e madhe mosha, aq më i vogël ka qenë numri i mosvotuesve ose votuesve të partive të vogla.
Sa i përket vetidentifikimit ideologjik, 40% e të rinjve 18–34 vjeç e konsiderojnë veten “të qendrës” (pavarësisht mënyrës së votimit). Për personat 65 vjeç e sipër, vetëm 19% e konsiderojnë veten të qendrës. Tabela 2 tregon po ashtu një trend që me rritjen e moshës shënohet ulje e përqindjes së atyre që e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht.

