Të paktën 49 persona kanë humbur jetën dhe 182 të tjerë janë shtruar në spital pas konsumimit të alkoolit të falsifikuar në shtetin Ondo, në jugperëndim të Nigerisë. Lajmin e dha Komisioneri i Shëndetësisë i Ondos, Bandji Ajaka, i cili tha se numri i viktimave është rritur ndjeshëm; më 5 shtator autoritetet lokale kishin raportuar për 29 persona të vdekur brenda një jave pas konsumimit të pijeve të falsifikuara.
Autoritetet dyshojnë se viktimat janë helmuar me metanol, një substancë toksike që mund të gjendet në mënyrë të paligjshme në pijet alkoolike të prodhuara pa kontroll. Viktimat kishin konsumuar një lloj xhini të prodhuar lokalisht, i njohur nga banorët me emrin “Bishti i Majmunit”. Pijet alkoolike të parregulluara janë të përhapura në disa zona të Nigerisë, kryesisht për shkak se janë më të lira dhe më të lehta për t’u prodhuar.
Ajaka tha se helmimet mund të lidhen me dy ceremoni tradicionale të zhvilluara në rajonin Odigbo, ku pjesëmarrësit konsumuan një pije alkoolike lokale. Megjithatë, deri tani këto dyshime nuk janë konfirmuar përmes analizave laboratorike. Personat e prekur kanë shfaqur simptoma të rënda, përfshirë dhimbje koke, dhimbje trupi, vështirësi në frymëmarrje, halucinacione dhe verbëri.
Komisioneri përshkroi pasojat e helmimit duke thënë se ndikimi vjen shpejt: “Ndodh shumë shpejt. Sapo e pinë, në varësi të sasisë, veshkat ndalojnë së funksionuari, sytë verbohen dhe truri dëmtohet”. Autoritetet lokale po trajtojnë të shtruarit ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të konfirmuar nëse metanoli është burimi i fataliteteve.

