Ulsi Manja dhe Taulant Balla kanë propozuar ndryshime në Kodin e Ri Rrugor pas aksidentit në Durrës ku humbën dy të mitur. Një nga ndryshimet kryesore parashikon heqjen e përjetshme të lejes së drejtimit kur drejtuesi, i cili më parë është ndëshkuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, kapet sërish me nivel alkooli mbi 0,5 g/l. Teksti i propozuar përmban klauzolën: “11.1 Kur nga verifikimet … rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) … dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë … në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”
Në propozime evidentohen edhe ndryshime të tjera në nene dhe pika të ndryshme. Neni 6 ndryshon nenin 127, pika 3.1, ku hiqet fjalia: “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.” Neni 7 sjell ndryshime në nenin 139: në pikën 5 pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”. Në pikën 7 hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës” pas togfjalëshit “tërheqëse”. Në pikën 8 ndryshohet masa e gjobës nga “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” në “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.
Para nenit 5 të projektligjit propozohet shtimi i neneve 9 dhe 10, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11. Neni 9 ndryshon titullin e nenit 171 në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”. Në nenin 171 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2: 2.1 ndalon përdorimin e telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor; 2.2 obligon përdorimin e syzeve optike ose pajisjeve të tjera kur ato janë kusht i lejedrejtimit. Në pikën 4, “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohet me “dy herë brenda të njëjtit vit”. Neni 10 shton në nenin 184 pikën 11.1 me klauzolën për heqjen përgjithmonë të lejes në rast përsëritjeje të drejtimit nën ndikimin e alkoolit sipas pragut 0,5 g/l.

