Media italiane “L’Indipendente” ka publikuar një analizë që vendos miratimin e ndërtimit të një resorti luksoz në Tavolara të Sardenjës në të njëjtin kontekst me protestat në Shqipëri kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura bregdetare. Qeveria italiane miratoi projektin pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet rajonale dhe institucionet mjedisore.
Më 4 qershor, Këshilli i Ministrave rrëzoi kundërshtimet e Rajonit Autonom të Sardenjës dhe Ministrisë së Kulturës dhe riaktivizoi autorizimin e lëshuar më parë nga Struktura e Misionit ZES për ndërtimin në Cala Finanza, në komunën Loiri Porto San Paolo. Projekti parashikon një kompleks të madh turistik që përfshin hotel pesë yje, vila, restorante, marinë, fushë helikopterësh dhe fushë golfi pranë Zonës së Mbrojtur Detare Tavolara–Punta Coda Cavallo.
Sipas dokumenteve të projektit, ndërhyrja prek rreth 50 hektarë sipërfaqe detare dhe tokësore, duke ngritur shqetësime për ndikimin në ekosistemin e zonës së mbrojtur. Rajoni i Sardenjës, Korpusi Pyjor dhe autoritetet lokale kanë dhënë mendime kryesisht negative, duke paralajmëruar rrezik për dëmtim të peizazhit dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes territoriale. Megjithatë, Struktura e Misionit ZES ka lëshuar autorizimin e vetëm, ndërsa Këshilli i Ministrave ka hequr zyrtarisht kundërshtimet, duke riaktivizuar lejen.
Organizatat mjedisore raportojnë se në zonë ka nisur tashmë pastrimi i vegjetacionit. Çështja është bërë objekt hetimesh dhe përplasjeje ligjore në gjykatat administrative. Projektin e zhvillon grupi brazilian JHSF, i njohur për investime në sektorin e luksit ndërkombëtar, dhe përfundimi i resortit pritet në vitin 2028.
Mekanizmi i përdorur, Zona e Vetme Ekonomike Speciale (ZES), lejon një autorizim të vetëm që zëvendëson lejet e tjera; kritikët thonë se po përdoret për të anashkaluar mbrojtjen mjedisore dhe kompetencat rajonale. Ambientalistet paralajmërojnë se rasti Tavolara mund të shërbejë si precedent për zhvillime të ngjashme në Mesdhe, ndërsa debatet për ndërtimet në zona të mbrojtura intensifikohen në rajon. Artikulli përmend gjithashtu protestat në Shqipëri, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të dhjetën ditë radhazi dhe lëvizja u shndërrua në një levizje më të gjerë antiqeveritare që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

